Ankara, 4 tetor – NATO dhe BE-ja nuk duhet që të heqin dorë nga Maqedonia për shkak të rezultateve nga referendumi, por të vazhdojë përkrahjen dhe bashkëpunimin, deklaroi ministri turk i Punëve të Jashtme Mevlut Çaushoglu.
“Ne me kujdes po e ndjekim situatën. Në fund të fundit ky është vendimi i qytetarëve të Maqedonisë dhe ne duhet ta respektojmë atë. Nga ana tjetër, as NATO-ja dhe as BE-ja nuk duhet të tërhiqen nga përkrahja dhe bashkëpunimi me Maqedoninë për shkak të referendumit dhe rezultateve prej tij. Pra, Maqedonia ishte ftuar që të bëhej anëtare e NATO-s në Samitin e fundit me vendim unanim të të gjithë aleatëve”, theksoi Çaushoglu në pres konferencën e përbashkët në Ankara me ministrin holandez të Punëve të Jashtme, Stef Blok.
Shefi i diplomacisë turke theksoi se negociatat për anëtarësim në NATO me Maqedoninë duhet që të vazhdojnë ndërsa BE-ja duhet që t’i kushtojë më tepër vëmendje Ballkanit Perëndimor.
Turqia, tha Çaushoglu, e përkrah përparimin, paqen dhe stabilitetin e vendeve nga Ballkani, si dhe integrimin e tyre në NATO dhe në BE.