Tiranë, 12 shkurt – Turqia vazhdon t’i kërkojë Shqipërisë dorëzimin e anëtarëve të lëvizjes gyleniste Feto, pasi sipas ministrit të Jashtëm, janë kërcënim për sigurinë e Shqipërisë.
Mevlut Çaushogllu nuk dha një numër të saktë, por foli për qindra anëtarë që mund ta përdorin Shqipërinë si një portë sigurie.
“Nuk kam shifra të sakta, por ka me qindra. Kemi kërkuar kthimin e tyre. Shqipëria ka hedhur disa hapa, presim që hapat e tjera të vazhdojnë. Ne nuk duam që Shqipëria të jetë një portë sigurie për fetoistët. Prania e tyre është kërcënim dhe rrezik për të ardhmen e Shqipërisë. Ia shpjegova zotit Cakaj, por do t’ja shpjegoj edhe kryeministrit Rama”, ka thënë Çaushogllu, njofton Ora njuz.
Për ministrin Cakaj marrëdhëniet me Turqinë vlerësohen si të qëndrueshme, por mbeten të hapura çështjet me fqinjin më jugor, Greqinë.
I pyetur për marrëveshjen e detit, Cakaj shprehu gatishmërinë për një komunikim të vazhdueshëm.
Por me sa duket, qeverisë shqiptare i ka mbetur vetëm angazhimi, pasi në praktikë jo vetëm që delegacionet nuk janë takuar, por kanë mbetur pezull edhe vizitat në nivel të lartë të zyrtarësh.
Ndërmjet dy ministrive u firmos edhe një deklaratë e përbashkët që do të shërbejë për rritjen e përpjekjeve dhe bashkërendimin e qëndrimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
U nënshkruan edhe disa marrëveshje si ajo për “Njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e lejeve të drejtimit”, dhe Memorandumi për shkëmbimin e diplomatëve.(koha.mk)