Gjatë kësaj vere do të bëhet riparimi i kulmit në shkollën e fshatit Vicë të Malësisë së Sharrit, ndërsa risi është se shkollat e Malësisë së Tetovës prej vitit të ardhshëm do të mësojnë me një ndërrim, vetëm paradite
Urim HASIPI
Tetovë, 14 korrik – Gjatë verës janë paraparë një sërë rregullimesh në infrastrukturën e shkollave fillore dhe të mesme të Tetovës. Ende nuk dihet se si do të bëhet me kulmin e shkollës në fshatin Xhepçisht dhe rikostruimin e kulmit në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi” në qytetin e Tetovës. Këta dy shkolla kanë kulmet e dëmtuara, ndërsa edhe përkundër paralajmërimeve, ende nuk ka asnjë njoftim zyrtarë se kur do të fillojë rikostruimi, shkruan gazeta KOHA.
Për shkollën fillore “Kirili dhe Metodi”, mjetet janë siguruar nga ana e pushtetit qendror, kurse për shkollën Xhepçisht pritet të veprojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Nëse nuk vepron kjo ministri, komuna me mjetet e saj do të bëjë riparimin, thonë nga Komuna e Tetovës.
“Sa i përket kësaj, është në planin investues për këtë vit dhe në pritje jemi që sa më shpejt të filloj riparimi i çatisë në shkollën fillore ‘Kiril dhe Metodi’. Ai projekt do të realizohet gjatë këtij viti, kurse poashtu edhe në shkollën fillore në Xhepçisht jemi duke e bërë projektin që, nëse nuk do të bëhet intervenimi nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, do të mundohemi të bëjmë riparim me mjete të buxhetit komunal me qëllim që të mos përsëritet ajo që u përsërit vitin e kaluar. Kemi informuar MASH-in dhe kemi kërkuar që me urgjencë të vendoset në planet investuese”, tha për KOHA, Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.
Në ndërkohë, gjatë kësaj vere do të ketë edhe një riparim të kulmit në shkollën e fshatit Vicë të Malësisë së Sharrit. Tashmë në këtë objekt kanë filluar punimet dhe pritet që shumë shpejtë të përfundojnë, ndërsa kjo shkollë do të ketë kulm të rregulluar dhe do të jetë gati për mësim në muajin shtator, atëherë edhe kur fillon procesi mësimor. Por, risi është se shkollat e Malësisë së Tetovës prej vitit të ardhshëm do të mësojnë me një ndërrim, vetëm ndërrimi i paradites.
“Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme realizohen punë, varësisht prej nevojave të shkollave. Kemi një verë intensive aktive të punës, dhe më 1 shtator do të kemi ende kushte më të mira për fillimin e vitit të ri shkollor. Mund të veçohet ndërrimi i kulmit të shkollës fillore në Vicë. Është e paraparë që sivjet, pjesa e Malësisë së Sharrit të bëhet me një ndërrim dhe të bëhen ashtu investime që të bëhet dhe ndërtimi i klasave që të kemi mësim me një ndërrim”, deklaroi Qazimi. Sipas tij, pritet që edhe shkolla e mesme e bujqësisë “Mosha Pijade” të mësojë me një ndërrim. Sipas tij, edhe në shkollat e mesme janë duke u bërë riparime në inventarin e brendshëm.
“E njëjta do të realizohet dhe në një nga shkollat e mesme të Tetovës, në Shkollën e Mesme Profesionale Teknike ‘Mosha Pijade’. Edhe atje është e paraparë të kemi mësim me një ndërrim. Edhe në këtë shkollë të mesme bëhen investime. Në shkollat e mesme kemi punë investuese ku bëhet ndërrimi i dritareve dhe digjitalizimi i procesit edukativo-arsimor. Gjithashtu, edhe në shkollat fillore poashtu bëhen punë duke filluar nga riparime, lyerje të shkollave, fasadim dhe furnizim me mjete që janë të nevojshme për procesin edukativo-arsimor”, tregon Qazimi. Ai ka bërë të ditur se pritet që edhe viteve të ardhshme të punohet që shkollat në Tetovë të punojnë me një ndërrim. (koha.mk)