Urim HASIPI
Tetovë, 23 janar – Të hënën kur filloi gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, shkollën fillore “Liria” në Tetovë e gjeti me të njëjtën çati që pikon dhe rrezikon të shembet, shkruan gazeta KOHA. Ndonëse nga kjo shkollë njoftojnë se i kanë bërë përgatitjet për të filluar procesi mësimor të hënën, megjithatë lidhur me çatinë, theksojnë se nuk kanë asnjë informatë kthyese se kur do të fillohet të rregullohet. Drejtoresha Shpresa Iseini, thotë për KOHA se në këtë periudhë janë bërë përgatitje brenda në shkollë të nevojshme që të rifillojë mësimi normalisht. ”Gjatë kësaj periudhe të pushimit, janë bërë disa përgatitje të brendshme në shkollë, siç janë vendosja e karrigeve, dezinfektimi, rregullimi i ngrohjes, shkolla është furnizuar me naftë dhe të hënën do të fillojmë me mësimin”, tha Iseini. Por, ajo tha se nuk ka asnjë informatë kthyese për rikonstruimin e çatisë. “Momentalisht nuk pikon çatia, por pasi që të fillojë të shkrihet dëbora atëherë nuk e dimë se si do të ndodh më tej. Do të pikojë apo do të ndodh më e keqja, rrënimi. Por, tash për tash nuk mund të them asgjë. Do të presim që të stabilizohet moti dhe më pas do të presim institucionet që të marrin masat për rikonstruimin e çatisë së shkollës”, deklaroi drejtoresha Iseini. Ajo ka theksuar se deri në gjetjen e zgjidhjes do të mësohet me orar të shkurtuar dhe në tre turne.
“Derisa të gjendet një objekt tjetër, mësimi do të vazhdojë me orar të shkurtuar, në tre turne. Shpresojmë që sa më shpejt të gjendet një objekt, kurse në ndërkohë duhet që të bëhet investim për një objekt të ri apo rikonstruim të përgjithshëm të shkollës”, tha Iseini.
Nga Komuna e Tetovës kanë ndarë rreth 600 mijë denarë mjete, të cilët ishin paraparë për festimin e vitit të ri në Qendër të Tetovë,s të cilët do të dedikohen për rikonstruimin e çatisë. “Këto janë mjete simbolike, por janë paraparë edhe mjete të tjera shtesë, diku rreth 20 mijë euro, të cilët do të destinohen për shkollën fillore “Liria”, gjegjësisht për rikonstruimin e çatisë, mjete këto që komuna i ka siguruar përmes fondeve të ndryshme”, thonë nga Komuna e Tetovës. Ndryshe, edhe pse shkolla fillore “Liria” në Tetovë është ndër më të vjetrat në qytet, megjithatë objekti i kësaj shkolle asnjëherë nuk është rindërtuar apo rikonstruuar në mënyrë të mirëfilltë, duke bërë kështu që e njëjta do të jetë në rrezik për t`u shembur gjithnjë gjatë tërë kohës, ndërsa reshjet e fundit të shiut në tetor të vitit të kaluar shkaktuan shumë dëme në çati, duke bërë që në katin e dytë të ketë edhe vërshime dhe dëmtime të disa klasave. Autoritetet e shkollës shpresojnë se derisa të zgjidhet qeveria e re dhe të fillohet me realizimin e punëve për rregullimin e çatisë së kësaj shkolle, nxënësit janë të ekspozuar në rrezik permanent. Krahas problemit me objektin, gjegjësisht çatinë që pikon dhe rrezikon të shembet, po ashtu problem në këtë shkollë janë edhe nyjet sanitare dhe sistemi i vjetruar i rrjetit elektrike. Sipas drejtuesve të shkollës sistemi i rrjetit elektrik është mjaft i vjetruar dhe ekziston rreziku gjithnjë që të shkaktohet zjarr në këtë shkollë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.