Caster Semenya humb sfidën me drejtësinë dhe nuk do të ketë mundësinë që të mbrojë titullin botëror të garës së 800 m për femra të fituar në Londër 2017.
Gjykata Federale e Zvicrës vendosi që të anulojë vendimin për pezullimin e përkohshëm të normës së IAAF, që e detyronte afrikano-jugoren dhe atletet e tjera interseks që t’iu nënshtrohen kurave hormonale më mënyrë që të fitojnë të drejtën për të garuar në kategoritë e femrave.
Ishte vetë sportistja që konfirmoi anulimin e pezullimit të normës së IAAF, që Gjykata Federale e vendosi më 3 qershor. Norma e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, që fillimisht hyri në fuqi në 8 maj, thekson se atletet interseks për të garuar në distancat 400 deri në 1 milje duhet të reduktojnë nivelin e tyre të testosteronit nëpërmjet kurës hormonale. Ky vendim u kontestua shumë, pasi i klasifikonte atletet si Semenya biologjikisht meshkuj.
Gjithsesi Semenya nuk ka ndërmend të dorëzohet pavarësisht këtij vendimi të dhimbshëm të dhënë nga Gjykata Federale e Zvicrës.
“Jam shumë e zhgënjyer për faktin që nuk do të kem mundësi të mbroj titullin të cilin e fitova me aq shumë mund”, – tha Semenya, – “por kjo nuk do të më dekurajojë në objektivin tim për të vijuar betejën për të drejtat njerëzore për të gjitha atletet e përfshira në të gjithë këtë histori”.