Iker Casillas ka njoftuar se gjithçka është në rregull me shëndetin e tij, pas sulmit në zemër që e pësoi të mërkurën në mëngjes gjatë një seance stërvitore me skuadrën e tij Porto. Portieri legjendar spanjoll i ka falënderuar të gjithë për mesazhet dhe dashurinë që ia kanë dërguar, në një postim në rrjetin social Instagram, shkruan Gazeta Express, përcjell gazeta Koha.
“Çdo gjë është nën kontroll këtu. U frikësova shumë por forcën e kam të paprekur. Faleminderit të gjithëve për mesazhet dhe dashurinë”, shkroi Casillas.
Klubi portugez njoftoi sot më herët se gjendja shëndetësore e portierit spanjoll është e mirë dhe stabile dhe se problemi i tij me zemër është rregulluar.
Casillas iu nënshtrua një operacioni të vogël, një kateterizimi kardiak, menjëherë pasi u pranua në spital pas një sulmi të vogël në zemër gjatë një seance stërvitore me Porton të mërkurën në mëngjes.
Menjëherë pasi gjendja ishte qetësuar dhe procedurat mjekësore ndaj tij ishin kryer, 37-vjeçari u kishte shkruar miqve më të afërt, duke u thënë shkurt: “Jam mirë”.
Casillas do t’i mbushë 38 vjet këtë muaj dhe ka qenë pjesë e Portos që prej vitit 2015 dhe sapo e ka rinovuar kontratën me klubin portugez për një sezon, me opsion për të paktën edhe një vit tjetër.