Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e ka konfirmuar se nëntë klube të Premierligës i kishin shkruar letër me kërkesën që të mos shfuqizohet dënimi i Manchester Cityt nga UEFA. Manchester City u dënua nga UEFA me pezullim për dy sezone nga Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës në shkurt, pasi u shpall fajtor për shkeljen e rregullave të ndershmërisë financiare, mes viteve 2012 dhe 2016.
Klubi i Premierligës reagoi menjëherë duke e apeluar vendimin e UEFA-s në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), që i shqyrtoi të gjitha dëshmitë para se ta merrte vendimin përfundimtar më 13 korrik. Dënimi i Cityt në fund u shfuqizua dhe gjoba e tyre prej 30 milionë eurosh u zvogëlua në 10 milionë euro. Ky vendim bëri që të ngrihen pyetje të shumta në lidhje me rregullat e FFP-së dhe vendimin e CAS-it.
Tani është zbuluar se nëntë klube të Premierligës kishin kërkuar nga CAS që të mos i shfuqizohet dënimi Manchester Cityt.
CAS ka konfirmuar se ato nëntë klube janë: Arsenal, Burnley, Chelsea, Leicester City, Liverpool, Manchester United, Newcastle United, Tottenham Hotspur dhe Wolves. Pesë nga top gjashtëshja tradicionale e Premierligës kërkuan që Manchester City të dënohej, ndërsa atyre iu bashkuan edhe Leicester City dhe Wolves, që garonin për dalje në Evropë, dhe Burnley e Newcastle United përfunduan në vendin e dhjetë dhe 13-të.