Sipas autoriteteve të Komunës së Tetovës, asfaltimi i kësaj rruge, për një kohë më të gjatë pritet që të përmirësojë infrastrukturën, jo vetëm për ata qytetarë që jetojnë, por edhe për lëvizjen e lirshme të automjeteve që kalojnë transit në fshatrat e malësisë së Tetovës, si dhe atyre që frekuentojnë Banjat e Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 20 gusht – Në një ndër lagjet me rrugë më të ngushta dhe më të dëmtuara, por edhe më e frekuentuar, është lagjja Çarshia e Epërme në Tetovë. Krahas kësaj lagje, me infrastrukturë të dobët ka qenë edhe rruga “Murat Baftjari”. Tash dy vite me radhë, në këtë lagje është punuar ndërsa tashmë kanë përfunduar të njëjtat, shkruan gazeta KOHA. Është rregulluar rruga e cila ishte e dëmtuar, është vendosur ndriçimi publik, është vendosur një rrethrrotullim për qarkullim më të lehtë të automjeteve dhe kanalizimi atmosferik.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi është shprehur se tërë punët në këtë lagje kanë kushtuar rreth 30 milion denarë. “Është bërë asfaltimi i rrugës në gjatësi prej 700 metrave, me gjerësi 6 metra, janë vendosur trotuare në të dy anët, është bërë kanalizim në gjatësi prej 500 metrave, është vendosur rrjet i kanalizimit, është vendosur ndriçim i ri publik në gjatësi prej 520 metrave. Krahas kësaj, është vendosur edhe rrjet nëntokësor elektrik dhe të telekomunikacionit, kurse vlera e përgjithshme e projektit ka kushtuar 28 milion denarë”, tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Rruga “Murat Baftjari” që është në zonën e lartë të qytetit të Tetovës, tashmë disa vite po përballet me mungesë të infrastrukturës. Kjo është si një nga zonat më të frekuentuara gjatë ditës, për shkak se përmes kësaj lagje kalojnë rrugët për në disa fshatra të malësisë së Tetovës. Rruga që kalon përmes Çarshisë së Epërme ka qenë e papërshtatshme për qarkullim. Vështirësi janë hasur në të katër stinët, pasi që gjatë reshjeve, rruga ka qenë përplot me baltë dhe më bekatona të dëmtuara, që ishin vendosur para disa viteve.
“Kjo rrugë ka qenë me bekatona një kohë të gjatë, ndërsa edhe ata u dëmtuan me kalimin e kohës. Kërkesë e banorëve ka qenë që rruga të asfaltohet sepse bekatonizimi nuk ka qenë i vendosur si duhet, dhe ka patur shumë gropa. Prandaj, edhe Komuna vendosi që të bëjë asfaltimin e së njëjtës. Normalisht se ka patur ngecje gjatë punëve, ngase është bërë edhe vendosja e rrjetit elektrik nëntokësor që ka marrë më shumë punë. Por, më në fund është bërë një punë e mirë për këta banorë”, pohojnë nga Komuna e Tetovës.
Sipas autoriteteve të Komunës së Tetovës, asfaltimi i kësaj rruge, për një kohë më të gjatë pritet që të përmirësojë infrastrukturën, jo vetëm për ata qytetarë që jetojnë, por edhe për lëvizjen e lirshme të automjeteve që kalojnë transit në fshatrat e malësisë së Tetovës, si dhe atyre që frekuentojnë Banjat e Tetovës. Krahas kësaj, gjatë ditës së enjte në këtë pjesë të Tetovës qarkullojnë me mijëra njerëz, pasi që është ditë tregu dhe njëkohësisht funksionojnë shumë biznese private dekada me radhë, të cilët kohëve të fundit ishin ankuar për mungesë të infrastrukturës që kishte ndikuar edhe në punën e tyre.
Madje ata kishin kërkuar që sa më shpejtë të mbyllen punët për shkak se kishin pësuar edhe humbje me bizneset e tyre, ngase shkaku i punimeve, shumë pak qytetarë kishin frekuentuar këtë lagje, e cila në të kaluarën ka qenë qendër e bizneseve të ndryshme private, ku funksionojnë edhe shumë zeje të ndryshme sot e kësaj dite. Po ashtu një pjesë e kësaj rruge lidhet edhe me rrugën kryesore për në Kodrën e Diellit. (koha.mk)