Vitrinat e praruara ua tërheqin vëmendjen dy turistëve aziatikë. Të huajt fotografohen para xhamave me stoli, që shkëlqejnë edhe më fort kur terri nis t’ia marrë anën dritës. Vendasve u lë përshtypje kureshtja e vizitorëve që nxjerrin celularët para zbukurimeve në dyqanet me mbishkrime shqip, maqedonisht, e aty-këtu edhe turqisht e anglisht, në rrugën “Beogradaska”, në Çarshi të Vjetër në Shkup, shkruan sot “Koha Ditore”. Një çift me dy vajza me çanta krahëve ndalet para njërës prej argjendarive. Nuk hyjnë brenda. Shpejt e shpejt e përfundon diskutimin nëna me të bijat për stolitë që u ranë në sy. Jo fort larg tyre, derën e ka lënë pakëz të hapur argjendari Irfan Bushi. Me “bujrum” i mirëpret myshterinjtë. Me syzet lëshuar majë hundës e duart të zëna me vegla pune, Bushi thotë se në Çarshi të Vjetër janë të përqendruara argjendaritë më me nam në Shkup. Nuk është i sigurt për numrin e saktë të tyre, por beson se janë mbi 40 sosh.