Tetovë, 24 tetor – Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska ndaj qëndrimeve të disa kompanive të cilat në opinion u deklaruan se do ta kenë vështirë të japin rrogë minimale prej 14.500 denarëve, u përgjigj se Qeveria do të ndihmojë me hapa konkretë. Ajo e ceki masën për subvencionim të rritjes së rrogave si mënyrë për arritje të shumave të reja të rrogës minimale, transmeton gazeta KOHA.
“Çdoherë do të ketë kompani të cilat do të reagojnë posaçërisht që ende nuk i kanë ndjerë përfitimet nga subvencioni i rritjes së rrogave deri 100 euro sepse kjo me të vërtetë do t’i mbështesë kompanitë të cilat konsiderojnë se nuk do të mund të qëndrojnë. Vlerësimet tona janë se kompanitë e mëdha dhe stabile do t’i qëndrojnë kësaj. Dialogu social zgjati mbi gjashtë muaj, së bashku me odat ekonomike, së bashku me punëdhënësit. Mu klasteri i tekstilit ishte iniciator për masën e subvencionimit të rritjes së rrogave. Qeveria do ta mbështesë rritjen e rrogave deri 100 euro, ata do ta shfrytëzojnë atë subvencion dhe gjithsesi e tërë barra nuk do të bijë mbi ta, por me ligj të posaçëm i mbështesim ata të cilët nuk do të mund t’i qëndrojnë efektit nga rroga minimale dhe e rrisim rrogën minimale”, tha Carovska në Tetovë në promovimin e granteve për vëtëpunësime të reja dhe hapje të bizneseve të reja.
Ajo potencoi se për ekonomi në rritje nevojitet që kompanitë të japin pjesëmarrjen e vet.
Drejtoresha e Agjencisë për punësim, Biljana Jovanovska, në pyetjen e gazetarëve për mangësitë në programet për vetëpunësim që janë cekur nga sektori joqeveritar, theksoi se garnitura e re e këtij institucioni ka tentuar t’i tejkalojë problematikat prej më herët.
“Agjencia për punësim është transparente dhe bashkëpunon me sektorin joqeveritar, por ata kanë hulumtime sipas metodologjive dhe parimeve të veta. Atë që kemi vërejtur si mangësi këto dy vite maksimalisht po tentojmë ta përmirësojmë. Kemi mbi pesë mijë punësime të drejtpërdrejta, kemi shumë shërbime të cilat do të shfrytëzohen dhe konsiderojmë se po përpiqemi maksimalisht t’i përmirësojmë shërbimet dhe se po lëvizim linjave në rritje në zbatimin e masave”, tha Jovanovska.(koha.mk)