Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska sot në pres konferencën e përbashkët në Qeveri me ministrin e Financave Dragan Tevdovski i prezantoi reformat në sistemin pensional që do të mundësojnë pagimin e drejtë dhe stabil të pesioneve dhe qëndrueshmërinë e tyre për 50 vjet prej sot.
Ajo theksoi se me reformën e propozuar nuk do të ketë rritje të kufirit të moshës dhe nuk do të ketë bllokim të pensioneve.
Sipas Carovskës me zbatimin e masave të propozuara për një vit pritet që deficiti të ulet prej 19 miliardë denarësh në 16,9 miliardë denarë.
“Kemi korrigjim minimal të kontributit prej 0,5 për qind, masa e dytë është se kemi vendosur kritere të qarta për hyrje në shtyllën e dytë të sistemit pensional, ndërsa kjo është dita dhe viti i lindjes. Kështu të gjithë ata që kanë lindur nga data 01.01.1967 do të mund të kthehen dhe të marrin pension vetëm nga shtylla e parë”, tha Carovska duke shtuar se me këtë i jepet mundësi qytetarëve që të kenë pensione më të favorizuara.
Ajo gjithashtu tha se të gjithë ata që e shfrytëzojnë stazhin e benificuar të kthehen dhe të përdorin pensionin vetëm nga shtylla e parë, duke përmendur këtu të punësuarit në MPB dhe në MM.
“Grupi më i prekur janë ata që janë në të dy shtyllat pensionale dhe kanë pensione jorealisht të ulëta. Ne e bëjmë sistemin të barabartë për të gjithë ata që kanë stazh të benificuar duke përfshirë edhe minatorët që të kthehen në shtyllën e parë dhe të marrin pensione më të favorshme”, tha Carovska.
Ajo shtoi se rritet edhe përqindja e përllogaritjes të pensioneve në sistemin e dy shtyllave pensionale. Për meshkuj përqindja rritet nga 0,75 për qind në 1 për qind, ndërsa për femra prej 0,86 për qind në 1.14 për qind.
“Nëse me sistemin e sotëm ata që janë në sistemin e dy shtyllave pensionale kur të pensionohen do të marrin makismalisht 30 për qind të pagës, me sistemin e ri do të marrin 40 për qind të pagës maksimale, që nënkupton pensione më të favorshme dhe pagim stabil të pensioneve për pensionistët e ardhshëm. Pensionet do të harmonizohen dy herë në vit siç është parashikuar me ligj me rritjen e shpenzimeve të jetesës”, tha Carovska.
Vendoset edhe pension shtetëror social që sipas vlerësimeve të tyre do të mund ta shfrytëzojnë rreth 6.000 qytetarë që kanë moshën 65-vjeçare, 15 vite kanë jetuar në Maqedoni dhe kanë një ditë stazh. Vlera e këtij pensioni do të jetë 40 për qind e pensionit mestar në Republikën e Maqedonisë ose rreth 5.8000 denarë.
Risi është edhe vendosja e regjistrit të vetëm social të të siguruarve me qëllim që më me lehtësi të ndiqen të gjitha politikat që implementohen dhe të cilat do të zbatohen në të ardhmen, ndërsa lidhen me sigurimin shëndetësor dhe social në Maqedoni i cili duhet të bazohet në argumente dhe në fakte. Ky projekt zbatohet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe duhet që të fillojë të zbatohet nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Në pres konferencën e përbashkët me Tevdovskin, Carovska tha se me të ardhurat e tatimit progresiv do të realizohen politikat sociale të Qeverisë që janë rritja e ndihmës sociale për 300 për qind dhe vendosja e kompensimit arsimor dhe kompensimit për fëmijë për 60.000 fëmijë.