Shkup, 21 janar – Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska pret që koncepti i arsimit fillor të finalizohet më së voni deri në shkurt, i cili duhet të fillojë nga shtator në klasën e parë dhe të katërt.
Si mysafire në Ditarin e TV Sitel, ministrja shprehu kënaqësi që koncepti përcaktohet përmes debatit, me pranimin e propozimeve konstruktive.
Për nesër, siç njoftoi, është planifikuar takim me përfaqësues të komunitetit akademik, ndërsa sot diskutuan edhe një pjesë e mësuesve të arsimit fillor.
Ajo përsëriti se koncepti i ri nuk do të thotë që nuk do të mësohet historia maqedonase.
“Askund në koncept nuk shkruan se nuk do të mësohet historia maqedonase. Integrimi nënkupton vendosje modulare të secilës disiplinë shkencore dhe integrim të bazuar në tema, që tregon një qasje problematike për secilën pjesë që mësojmë për një temë të veçantë. Përveç kësaj, secili nxënës do të marrë notë në histori, gjeografi, shoqëri…”, shpjegoi Carovska.
Gjithçka që do të bëjmë është më e mirë se sot, thotë Carovska, sepse rezultatet e testeve ndërkombëtare dhe të brendshme tregojnë analfabetizëm funksional të nxënësve tanë.
“Nxënësit tanë nuk janë më pak inteligjentë se nxënësit e tjerë, vetëm u duhet arsim cilësor që do t’i sjellë deri në majë”, theksoi Carovska.
Programet mësimore janë faza tjetër. Në muajin shkurt në nivel shtetëror, duhet të bëhet një thirrje për programet mësimore për klasën e parë dhe të katërt.
Lidhur me ndjekjen e mësimit në gjysmë vjetorin e dytë të këtij viti shkollor, Carovska tha se modeli aktual mbetet që të zbatohet deri në fund të muajit shkurt – fillim të muajit mars dhe pastaj nëse Komisioni për sëmundje infektive merr një qëndrim tjetër, atëherë ai do të shqyrtohet.
Me rëndësi është, thotë Carovska, të kemi vazhdimësi në mësim dhe ta mbrojmë shëndetin publik.