Shkup, 29 qershor – Bartësja e listës së kandidatëve për deputetë të koalicionit “Mundemi” në Njësinë e parë zgjedhore, Milla Carovska sonte u takua me pensionistët nga Aerodromi dhe Qendra. Carovska paralajmëroi rritje të pensionit minimal në 10.700 denarë në mandatin e ardhshëm të LSDM-së por edhe përkujtoi që gjatë periudhës së kaluar Qeveria e kryesuar nga LSDM-ja arriti ta reformojë sistemin pensional.
“Si ministre e Punës dhe Politikës Sociale gjeta një sistem pensional tërësisht të rrënuar të cilin nëse nuk do ta reformonin do të vihej në pikëpyetje jo vetëm pagesa e pensioneve të pensionistëve aktualë por edhe të pensionistëve të ardhshëm. Ju si pensionistë e dini mirë se si VMRO-DPMNE manipulonte me pensionistët dhe jashtë kornizës ligjore i rriste pensionet. Si parti përgjegjëse që kujdeset për të gjithë qytetarët, LSDM dëshmoi se kujdeset edhe për më të rriturit. Në janar të këtij viti i kemi rritur pensionet për 324 mijë pensionistë për 722 denarë. Kjo rritje hyn në kryegjënë e pensioneve dhe do të paguhet çdo muaj që do të thotë se për një vit pensionistët do t’i marrin rreth 9.000 denarë shtesë në llogaritë e tyre, të cilat hyjnë në kryegjënë e pensioneve”, tha Carovska.
Carovska përkujtoi se reforma pensionale e fundit e ka korrigjuar padrejtësinë të cilën, siç tha, pushteti i kaluar ua shkaktoi 12.000 personave.
“Këtyre personave të siguruar u janë shkurtuar e drejta për pension më të lartë pasi kontributet e tyre janë paguar vetëm në shtyllën e parë në periudhë nga viti 2006 deri në vitin 2018. Me 19 milionë euro nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut i dëmshpërblyem këta qytetarë të cilëve për shkak të moskujdesit së VMRO-DPMNE-së drejtpërdrejtë u shkurtohej e drejta për pension më të lartë”, tha Carovska.