Shkup, 27 janar – Tragjedia e madhe e cila është në memorien tonë, asnjëherë mos të përsëritet, tha zëvendëskryeministrja Mila Carovska e cila e kryesoi delegacionin zyrtar nga Maqedonia në 75 vjetorin e çlirimit të kampit nazist gjerman Aushvic-Birkenau, transmeton gazeta KOHA.
“Sot shënojmë 75 vjet nga çlirimi i kampit më të madh nazist Aushvic-Birkenau, në të cilin jetën e kanë humbur mbi një milionë njerëz, numri më i madh prej tyre hebrenj. Me shënimin e kësaj dite përkujtojmë të gjitha viktimat e Holokaustit, mes tyre mbi 7.000 hebrenj nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi, të cilët në mars dhe prill të vitit 1943 u deportuan dhe u vranë në kampin nazist Treblinka. Kjo tragjedi e madhe njerëzore gjendet në memorien tonë kolektive, na përkujton se nuk duhet të lejojmë asnjëherë të përsëritet. Pikërisht për këtë Qeveria e Republikës së Maqedonisë të Veriut punon me përkushtim dhe ka përcaktim të fuqishëm në ballafaqimin me përkujtimet dhe të vërtetën për Holokaustin”, tha Carovska pas komemoracionet për jetët e humbura në kampin përqendrimit.
Luftojmë, shtoi dhe do të vazhdojmë të veprojmë kundër çfarëdo lloj diskriminimi, parandalimit të gjuhës së urrejtjes, parandalimin e racizmit dhe të gjitha formave tjera të shkeljes së të drejtave të njeriut.
Në pranin e të mbijetuarve në kampin nazist Aushvic-Birkenau dhe qindra personave tjerë zyrtar prej shumë vendeve nga Evropa dhe bota, sot në vendin e ish kampit në Republikën e Polonisë, u shënua Dita ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave nga Holokausti, i cili me vendim të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së është konfirmuar të mbahet më 27 janar.(koha.mk)