“Çështja e Ushtrisë së Kosovës është çështje gjuhësore, përkatësisht semantike. Kosova nuk ka Ushtri dhe ajo nuk do të bëhet me Ushtri më 14 dhjetor”.
Kështu mendon ish-shefi i njësisë ekonomike në Zyrën Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Andrea Lorenzo Capussela.
“Sa tanke i kanë? A kanë forca ajrore? A kanë avionë bombardues? Sa e di unë, jo. Nëse Ushtria miratohet më 14 dhjetor, ata do t’iu thonë qytetarëve të vet – ne e kemi Ushtrinë, porse këto janë vetëm fjalë”, citon b92 të ketë thënë Capussela.
Ai, sipas këtij mediumi serb, po ashta ka thënë se nëse shqiptarët e Kosovës e formojnë Ushtrinë, do ta shkelin Kushtetutën e vet dhe me të edhe një element të rëndësishëm garantues për bashkësinë serbe në Kosovë, e ai është vetoja në ndryshimin e Kushtetutës për çdo gjë që mund të rrezikojë interesat serbe në Kosovë.
“Mendoj se bashkësia ndërkombëtare do të veprojë rreth kësaj dhe nuk do të lejojë shkeljen e garancive dhënë serbëve në Kosovë. Mendoj se BE dhe bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojnë që Kosova ta shkelë Kushtetutën e vet”, ka thënë ai.(koha.net)