Roberto Carlos ka qenë ndoshta mbrojtësi i majtë më i mirë në historinë e Real Madridit. Ai erdhi nga dora e Fabio Capellos në verën e vitit 1996 dhe që nga sezoni e tij i parë u bë një nga yjet më të mëdha të Real Madrid. Sipas trajnerit italian, i cili ka folur në një intervistë me “Fox Sport”, braziliani ishte një nga mbrojtësit më të lehtë dhe më të shpejtë në histori.
“Unë nuk besoja se mund ta merrja në “Bernabeu”. Kisha disa informacione se ishte i zemëruar me trajnerin e tij tek Interi, Roy Hodgson. Menjëherë pas mbërritjes në Madrid, një agjent më tha se Interi po kërkon ta shesë mbrojtësin brazilian. I dërgova një faks, fola me presidentin dhe ditën tjetër operacioni u mbyll. Ky mund të jetë transferimi më i shpejtë i realizuar në futboll, ndonjëherë,” – bën shaka Capello. Dhe kështu, pa zhurmë, që në vitin e parë, nën drejtimin e trajnerit italian, Roberto Carlos u bë një nga shtyllat e padiskutueshme të Real Madridit. Megjithatë, pas fitimit të titullit kampion në La Liga, Capello u largua nga klubi i bardhë, për t’u kthyer në Milano. “Aventura ime në Madrid përfundoi me një telefonatë nga Berluskoni, i cili më kërkoi mua që të kthehem. I kisha borxh atij dhe nuk mund t’i thoja kurrsesi jo,” – zbulon trajneri italian.