Në fund të ndeshjes PSG-Manchester United në Champions League, ka pasur shumë momente tensioni, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA. Të premten u raportua se Nasser Al-Khelaïfi ka zbritur në dhomat e zhveshjes dhe ka shpërthyer në kritika. Kurse u raportua gjithashtu se Neymari ka tentuar të hyjë te dhoma e gjyqtarëve për vendimin që mori për penallti me ndihmën e VAR në fund të ndeshjes, çka bëri që PSG-ja të eliminohet nga Liga e Kampionëve. Por, tani ka rrjedhur një tjetër moment tensioni që kishte ndodhur atë mbrëmje, në mes të babait të Neymarit dhe legjendës së Manchester Unitedit, Cantona.
Sipas RMC, Cantona e ka provokuar babain e Neymarit dhe disa brazilianë të tjerë që ishin bashkë me të në “Parc des Princes” në humbjen 3-1 të PSG-së. Raportohet se situata u tensionua aq shumë mes tyre saqë u desh të ndërhyjë sigurimi, në diskutim të ashpër u përfshinë edhe vëllai i Marquinhos dhe shokët e Dani Alves për të mbrojtur babain e Neymarit. Pak minuta më vonë, Cantona zbriti poshtë në dhomat e zhveshjes dhe bëri foto me Solskjaer dhe Ferguson, siç mund ta shihni në profilin e tij në Instagram.