Nga Daut DAUTI
Kush nga gjeneratat që kanë jetuar në sistemin e kaluar nuk e ka dëgjuar këngën “Çanakale” të Hashim Shalës e Tahir Drenicës. “Çanakale mrena u nisa prej Stambollit…”. Ajo këngë që e kam dëgjuar si nxënës “në kohën e gramofonëve”, më kishte shtyrë të pyes veten përse rapsodët shqiptarë t’i këndojnë Çanakalasë. Nuk më kujtohet ta kishim mësuar në lëndën e historisë në kontekst të Luftës së Parë Botërore, se kur kishte ndodhur beteja e Çanakalesë. Në mbamendjen e dëgjuesit jo fort të arsimuar, sigurisht ishte fiksuar një betejë përgjakshme, atje diku nga Turqia. Kaq.
Shumë vjet më vonë, pata shkuar një film mbresëlënës të regjisorit australian, Piter Vir(Peter Weir), ku në rolin kryesor ishte ylli i sapolindur kinematografik që u bë i famshëm me “Mad Max-in” futuristik, Mel Gibson. Por filmi “Galipole” ku ai luajti s’kishte të bënte me ardhmërinë, por me të kaluarën! Në atë film flitej për dy sportistë australianë(të luajtur në mënyrë të shkëlqyer nga aktorët Mel Gibson dhe Mark Li), të cilët e ndjejnë si obligim patriotik të paraqiten vullnetarisht për luftën që as ata nuk e dinin tamam se ku zhvillohet. Po çfarë detyre patriotike për dy australianë që të luftojnë në një front euroaziatikafrikan (odiseada e shkuarjes së tyre)?! Duke përcjellë fatin e këtyre dy ushtarëve, të cilët bëhen korrierë në vijat e frontit, të përshtatshëm për këtë gjë pasi janë sprinterë, porosia kryesore që jep filmi është “për çka u flijuan ushtarët australianë”, më saktë “gjersa australianët vdisnin në front, anglezët pinin çaj në çadra”. Ky është konteksti i filmit, në të cilin gjithë rrëfimi bëhet në vijën e pasme të frontit, atë të flijimit të ushtarëve australianë si pjesë e Mbretërisë së Bashkuar Britanike. Ushtarët turq këtu janë vetëm si pjesë kontekstuale e rrëfimit, regjisori me ta në planin e strategjisë luftarake nuk merret pothuajse aspak, sepse kjo nuk e intereson, pasi ai mëton ta japë një këndvështrim artistik, ndoshta edhe nga një këndvështrim bashkëkohor australian ndaj kësaj ngjarjeje historike.
Duke shikuar filmin, diku në fillim të viteve 80-të, në asnjë moment nuk më kishte shkuar ndërmend se “Galipole” i Piter Virit fliste për të njëjtën ngjarje si ajo e këngës së Hashim Shalës e Tahir Drenicës. Gjegjësisht, se Galipoli është Çanakaleja. Në mungesë të informacioneve dhe interesimit, Çanakaleja më kishte asocuar në një betejë për pushtimin e një kalaje, e jo në një front të madh ku beteja zhvillohet në det dhe në tokë. Plus kësaj, nuk e dija momentin më interesant për një publik shqiptar, se këtu kanë luftuar mijëra shqiptarë. Këtu e gjej edhe motivin përse Hashim Shala me Tahir Drenicën t’i kenë kënduar qëmoti(ndërkohë, nga shumë versione, më pëlqen ai i vëllezërve Jashar dhe Idajet Sejdiu), ndonëse nga një hulumtim i vogël, më del se ajo këngë edhe nuk është origjinale, por këngë turke. Shumë më vonë, viteve të fundit, nga shumë tekste historianësh e emisionesh dokumentare, më është bërë e qartë se në atë kasaphane të madhe, i kanë lënë eshtrat e tyre shumë shqiptarë. Në një këngë tjetër, ajo për Osman pashën legjendar, që në kushte mbinjerëzore i kishte bërë ballë ushtrisë ruse në Plevne të Bullgarisë, që i këndojnë vëllezërit Dervishi, e ku përmendet se “dy tabore i kam shqiptarë”, ku është e qartë se është fjala për periudhën osmane para se të pavarësohej Shqipëria, në Çanakala çështja qëndron ndryshe. Shteti shqiptar tashmë ishte krijuar, kurse beteja e Çanakalasë që kishte zgjatur diç më shumë se dhjetë muaj, kishte ndodhur tri vjet pas krijimit të shtetit shqiptar, ndërsa si në rrallë betejë tjetër në trollin shqiptar atë kohë, në Çanakala, përmendet një numër prej mbi 30 mijë ushtarësh shqiptarë! Gjithsesi, fakti për këtë pjesëmarrje kaq masovike të shqiptarëve jashtë trojeve shqiptare, është për analizë të kontekstit historik të kohës por dhe vetëdijësor e sociologjik. Shtetit turk e ka përjetësuar pjesëmarrjen e shqiptarëve, duke vënë në pllakat e varrit emrat e qyteteve prej nga kanë ardhur(Shkup, Prizren, Ohrër, Gjakovë, Tetovë, Preshevë, Prishtinë…). Por, pyetja mbetet e hapur për motivin ose rrethanat e kësaj pjesëmarrjeje. Historiani Dr. Nebi Dervishi para disa vitesh kishte shkruar edhe këtë: “Përgjigjen e gjejmë në vargjet e Çajupit: „O shqiptarë të gjorë, ç‘ju ka marrë koha erë, Derdhim gjakun për të tjerë “, duke tërhequr paralele me pjesëmarrjen masive të shqiptarëve në luftërat të udhëhequra nga Pjeter Bogdani, atë për themelimin e shtetit grek me në krye Marko Boçarin etj.
Në Çanakala është zhvilluar një nga betejat më të përgjakshme gjatë Luftës së Parë Botërore. Aty janë ndeshur afro gjysmë milioni ushtarë të forcave të Antantës(Britania e Madhe(me ushtarë britanikë si dhe nga Australia, Zelanda e Re, India…), dhe Franca) dhe 315 mijë ushtarë të Perandorisë Otomane(Turqisë në lindje e sipër), e ndihmuar nga Gjermania dhe Austro-Hungraria. Një betejë jetike për Turqinë, pasi qëllimi strategjik i forcave të Antantës ishte të merrej Stambolli dhe të hapej rruga drejt Rusisë. Në një përballje të pabarabartë, humbjet tek të dy palët kanë qenë të mëdha(afro 100 mijë të vrarë, ndonjë autor përmend mbi 200 mijë) kurse nëse i shtohet numri i të plagosurve, ai numër është trefish më i madh. Në këtë fitore të lavdishme do të vijë të Turqisë në shprehje gjenialiteti i njërit prej komandantëve kryesorë, Mustafa Qemalit, i cili edhe i kishte mobilizuar dhe komandonte ushtarët shqiptarë, prej të cilëve edhe shumë në moshë fare të re. Mustafa Qemali e kishte hetuar shumë më herët qëllimin e forcave të Antantës dhe kishte kërkuar leje nga Porta e Madhe që të ndërmerr aksion parandalues. Ky aksion u zhvillua më 18 mars 1915 me sulmin mbi anijet e ushtrisë pushtuese dhe kjo ditë shënohet si dita e fitores, ndonëse Beteja e Çanakales ende s’kishte filluar mirë, sepse zyrtarisht konsiderohet se ka zgjatur nga 17 shkurti 1915 gjer më 9 janar 1916 (në literaturën historike haset edhe periudha tjetër: 25 prill 1915-9 janar 1916).
Refleksi artistik në filmin “Galipoli”, gjithsesi të shtyn të bësh analogjinë e pjesëmarrjas së australianëve në një kauzë “madhore” të kotë, (kundrejt një kauze legjitime për të mbrojtur tokën dhe sovranitetin e shtetit të vet), me pjesëmarrjen e shqiptarëve, një kauzë që duket sikur nuk është e tyre. Sepse, zyrtarisht, një shtet i pakonsoliduar, siç ishte Shqipëria, nuk mori pjesë në Luftën e Parë botërore dhe zyrtarisht nuk ishte me asnjërin prej blloqeve të konfrontuara. Një shtet që e kishte problem të mobilizojë ndonjë ushtri respektabile për të mbrojtur territorin e vet “poroz” nga serbët, grekët, malazezët, s’kishte si të mobilizojë njësi të veta të organizuara për t’i ndihmuar Turqisë, prandaj çudit numri kaq i madh i shqiptarëve që iu bashkëngjitën forcave turke në Dardanele. A shkuan ata vullnetarisht apo u mobilizuan me pagesë, apo cili ishte motivi i tyre, është çështje që fundja mund të mos ketë ndonjë domethënie në ditët e sodit. Ndoshta përgjigja qëndron edhe në supozimin se një pjesë e madhe kanë qenë shqiptarë që kanë jetuar në Turqi. Gjithsesi, është një fakt i çuditshëm dhe me shumë pikëpyetje, por mahnitës në kontekst të kohës, i cili mund të krahasohet me mbrojtjen e Shkodrës nga ana e garnizonit turk në vitet 1912-1913. Në krye të atij garnizoni ishte Hasan Riza Pasha, një otoman me origjinë nga Bagdadi, i cili në vend se të tërhiqej, pasi Perandoria Osmane tashmë ishte larguar nga Ballkani, ai vendos ta mbrojë Shkodrën gjatë rrethimit malazez ku dhe në janar të vitit 1913 vritet(duket në një nga vetë shqiptarët), që Shkodra të mos bie në duart e ushtrisë malazeze, por t’ia dorëzojë Qeverisë së Vlorës. Ky akt flijimi i ushtarëve turq dhe Hasan Riza Pashës dhe ai i shqiptarëve në Çanakala, mund të mos duken të logjikshme, se as shqiptarët luftuan në Çanakala për Shqipëri, as gjeneral Hasan Riza Pasha për Perandorinë e tij, por ato janë admiruese, se janë akt solidariteti e flijimi për një kauzë të drejtë. Ja, që historia njeh dhe këso situatash.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)