Lorik Cana tashmë është orientuar në pjesën tjetër të karrierës, pas pensionimit nga futbolli. Gjatë një ligjërate në Universitetin AAB, ish kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka bërë të ditur se kishte vendosur që të pensionohet menjëherë pas “Euro 2016”, transmeton Gazeta Express. Megjithatë, ai tregoi se edhe arsyet shëndetësore kanë shtyrë atë që të heqë dorë nga futbolli, e që tani është i fokusuar në zhvillimin e tij si trajner e menaxher sportiv. “E kam ndërprerë futbollin. Nuk kam dalë ende zyrtarisht ta them, por unë zgjedhjen e kam bërë që ta ndërpresë pas Evropianit 2016. Kam pasur disa probleme shëndetësore dhe nuk më lejohet më ta praktikoj sportin në nivelin e lartë”, tha Cana, duke shtuar se tani do të fokusohet në zhvillimin e tij si trajner e menaxher sportiv.