Lorik Cana, ish-kapiteni i kombëtares kuqezi, me më shumë ndeshje se askush tjetër në ekipin tonë përfaqësues, është prezantuar dje në mjediset e FSHF-së si ambasador i Shqipërisë në programin “Grassroots”, që udhëhiqet nga FIFA dhe UEFA. Në krah të presidentit Armand Duka, Loriku është shprehur i lumtur dhe entuziast me këtë mision të ri, që në thelb është i ngjashëm me fondacionin e tij. “Kur jam prezent në ambientet e federatës, ndihem mirë. Këtu jemi si një trup i vetëm, të gjithë bashkë synojmë të punojmë për ngritjen e cilësisë. Gjithsecili mundohet të japë vlerat e veta profesionale. Unë e ndiej për detyrë të kontribuoj në futbollin e vendit tonë. Ne si shoqëri kemi përfituar shumë nga sporti. Vitet e fundit është demonstruar që, nëse punojmë, mund të jemi të suksesshëm. Jemi një vend në zhvillim e sipër dhe futbolli ndihmon në këtë pjesë. Unë mendoj që për të pasur një pjesëmarrje të madhe, kjo nuk vjen brenda një dite.
Në vendin tonë nuk e di a kemi pasur më parë, por unë do të vazhdoj të jap stimuj, t’i nxis njerëzit të merren me futboll”, u shpreh në fillim Cana, “Edhe “Grassroots” është një program për të marrë pjesë në futboll. Unë tani bëj pjesë te veteranët dhe kam vendosur të vazhdoj me projektet e federatës, për t’i bindur dhe nxitur të gjithë të mbajnë frymën e sportit, të futbollit. Nuk do të jetë një detyre e përditshme, por që kërkon një punë të madhe. Rezultatet i presim pas disa vitesh. Duam që të gjithë ish-futbollistët të na ndihmojnë me këtë projekt. Është diçka e vështirë, por kjo e bën dhe më të bukur. Brenda këtij viti do të hapim një degë në Kosovë të fondacionit tim. Vitin tjetër do t’i kërkoj një bashkëpunim edhe Fadil Vokrrit në Kosovë. Dëshira ime është të jap kontributin personal në futbollin tonë, në të gjithë vendin tonë. Kur them vendi ynë, nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë, por kombin tonë”, tha në vazhdim ish-kapiteni i Shqipërisë.
Ndërkohë, “Grassroots” është futbolli i bazës është i gjithë futbolli që është joprofesional dhe joelitar. Kjo përfshin, por nuk kufizohet vetëm në, futbollin e fëmijëve, shkollat dhe futbollin e të rinjve, futbollin amator, futbollin për lojtarët me aftësi të kufizuara, futbollin për veteranët. Me pak fjalë, baza është futbolli i luajtur nga masat në një nivel ku pjesëmarrja dhe dashuria e lojës janë forcat lëvizëse. Futbolli sjell përfitime për shoqërinë në tërësi, pasi nuk është vetëm për lojën, por edhe futjen e vlerave, duke përfshirë punën në grup, zhvillimin shoqëror, shëndetin, aftësinë dhe përmbushjen personale. Kjo lojë është një mjet për zhvillimin arsimor, social dhe sportiv dhe si e tillë, UEFA investon shumë në futbollin bazë për të siguruar që të gjithë të kenë mundësinë të përfshihen në lojë, pavarësisht moshës, aftësisë, përkatësisë etnike, racës, fesë apo seksit. Programi bazë i UEFA-s inkurajon federatat kombëtare për të siguruar të ardhmen e lojës. Përmes “Grassroots”, UEFA mbështet dhe stimulon zhvillimin e futbollit bazë në nivel kombëtar, duke vendosur standarde dhe duke ofruar ndihmë të përshtatur. Përveç kësaj, çdo federatë kombëtare merr fonde vjetore të përcaktuara për të zhvilluar dhe përmirësuar vazhdimisht aktivitetet e tyre bazë.