Përfaqësuesja e Kosovës ka pesë muaj që nuk ka një trajner për ta udhëhequr atë. Tanimë ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku, e ka udhëhequr Përfaqësuesen në dy ndeshjet e fundit, ndaj Ukrainës në Shkodër (0-2) dhe Islandës në udhëtim (2-0). Që nga muaji tetor, Përfaqësuesja e Kosovës është pa trajner, ndërsa në ndeshjen miqësore të muajit nëntor ndaj Letonisë që e fitoi me rezultat 4-3, ishte udhëhequr nga Muharrem Sahiti. Shumë emra ishin përmendur për ta marrë drejtimin e Kosovës, por FFK-ja duket se ka vendosur për zviceranin Bernard Çallandes.
66-vjeçari pritet të zyrtarizohet në krye të Përfaqësues së Kosovës të premten, më 2 mars. Ish-trajneri i Armenisë dhe disa skuadra zvicerane, si Jang Bojs Bern, Cyrih, Sion dhe Ksamaks, ka tre vite që nuk e ushtron profesionin e tij. Ai aktualisht është zbulues talentësh te Bazeli, ndërsa me Kosovën ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për dy vite të tjera. “Telegrafi” bën me dije edhe pagën e lartë që do të fitojë përzgjedhësi i ri i Kosovës. Paga e tij fillestare (në gjashtë muajt e parë) thuhet se do të jetë 20 mijë euro, ndërsa pastaj pritet të shkojë deri në 30 mijë euro në muaj, pa përfshirë bonuset për ndeshjet.
Kësisoj, Çallandes do të bëhet njeriu me pagën më të lartë në Kosovë, duke kaluar edhe kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, por edhe presidentin Hashim Thaçi. E paraardhësi i tij, Albert Bunjaku, ka pasur një pagë solide për dallim nga homologët e tjerë te kombëtaret evropiane, duke marrë 7.000 euro në muaj, të cilat vazhdon t’i marrë deri në fund të kontratës së tij që skadon në muajin qershor të këtij viti. Madje, Bunjaku nuk ka bërë vetëm punën e tij që i takonte me kontratë si trajner i Kosovës, por ka bërë vullnetarisht punën e ‘skautit’, duke qenë më meritori për përfshirje në Përfaqësuese të futbollistëve, si Herolind Shala, Valon Berisha, Arbër Zeneli, Milot Rashica dhe shumë të tjerë. Mbetet të shihet nëse Çallandes do të ketë suksese me Përfaqësuesen e Kosovës dhe se a do ta arsyetojë pagën e tij të lartë që pritet ta marrë nga FFK-ja.