Shkup, 22 shkurt – Ish-shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, është i pakapshëm që dje pasdite, ndërsa policia nuk ka arritur t’ia dorëzojë vendimin për arrest shtëpiak, që si masë kujdesi, me kërkesë të prokurorisë, këtë fundjavë e solli Gjykata Penale.
Nga MPB-ja konfirmuan se ai është vendosur në arrest shtëpiak dhe se po merren masa dhe aktivitete për gjetjen e tij.
Prokuroria kërkoi arrest shtëpie për shkak të rrezikut të arratisjes në pritje të shpalljes së vendimit për lëndën çështjen Target-Fortesa të premten, në të cilën Mijallkovi është një nga të pandehurit. Nga Prokuroria Publike konfirmuan për TV 24 se gjykata nuk ka urdhëruar arrestimin e tij, por një masë më të butë të arrestit shtëpiak.
Por deri më tani, as nga prokuroria, as gjykata nuk ka informacion zyrtar. Thonë se do të ketë njoftim gjatë ditës.
Në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk është publikuar asnjë urdhër arresti për Mijallkovin, i cili, sipas reporterëve të TV 21, për herë të fundit është parë dje rreth orës 14 në lokalin “Distrikt” në hotelin “Meriot”.
Më vonë, gjatë ditës së djeshme, ai u kontrollua në disa adresa në Shkup, por nuk u gjet.
Prokuroria në fjalët përmbyllëse për Target-Fortesa, kërkoi dënim maksimal për Sasho Mijallkovin.
Ai është një nga të akuzuarit për përgjimin e paligjshëm të mbi 20 mijë qytetarëve në periudhën 2008 – 2015. Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për përgjimin e komunikimeve në DSK, janë monitoruar në mënyrë të paligjshme 4.286 numra telefoni, për të cilat nuk janë lëshuar fare urdhëresa gjyqësore.
Aktvendimi për “Target-Fortesa ” duhet të shpallet të premten, 26 shkurt.