Zv.ministri i Jashtëm me kompetenca ministri, Gent Cakaj në një deklaratë për mediat ditën e sotme, komunikoi vendimin për të shkëputur marrëdhëniet me një pjesë të stafit diplomatik që nuk përmbushin kushtet ligjore dhe profesionale.
Ai bëri me dije se janë mbi 20 punonjës të shërbimit diplomatik që shkarkohen nga detyra, ndërsa shtoi se një pjesë tjetër e punonjësve do të transferohen sipas nevojave të punës.
“Kam vendosur të shkëpus marrëdhëniet me një pjesë të stafit diplomatik, mbi 20 punonjës të shërbimit diplomatik që do shkarkohen nga detyra. Një pjesë tjetër e punonjësve do të transferohen për nevojat reale të punës. Axhenda reformiste e kapërcimit të pellgut të së shkuarës, nuk përkon me nepotizmin në asnjë sektor”, u shpreh Cakaj.
Ai tha se është bëri gati thirrja publike për vakancat e krijuara nga kjo valë pastrimi në shërbimin diplomatik, për t’iu hapur rrugën të rinjve ekselentë të vendit.
Ministri tha se Shqipëria nuk është e miqve, kushërinjve, as e klaneve dhe krushqive, por në shërbim të më të dalluarve që punojnë me përkushtim dhe shpirt.