Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka bërë të ditur se në Ditën e OKB-së, temë qëndrore të diskutimit kanë pasur mbrojtjen e mjedisit dhe veprimi për klimën.
“Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që tashmë ka “Planin e veprimit për zbutjen e emetimeve të gazit karbonik në natyrë” dhe “Planin kombëtar për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike”, ka shkruar Cakaj.
Me këtë rast kryediplomati shqiptar ka thënë se këto dokumente janë pjesë e synimit të Shqipërisë për të zvogëluar me 45 përqind emetimet e gazrave serë në natyrë në dekadën e ardhshme për të shkuar përfundimisht drejt emetimit zero deri në vitin 2050.
“Shqipëria do ta ketë çështjen e mbrojtjes së mjedisit dhe veprimin për klimën pjesë themelore të politikave të saj gjatë Kryesisë së OSBE-së 2020 dhe pjesë qëndrore të platformës së saj për kandidaturën për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së 2022-2023”.