Shkup, 1 prill – Masat e qeverisë për të trajtuar krizën ekonomike nga koronavirusi kanë për qëllim ekonominë, por shumë më tepër që punëtorët, të mbajnë punën e tyre dhe të fitojnë të ardhura të mira derisa kriza të përfundojë, kështu ka deklaruar kryetari i komisionit për financa në LSDM, Fatmir Bytyqi.
“Në grupin e parë të masave ne i ndihmuam së pari ata sektorë që ishin të parët që u goditën. Grupi i dytë i masave tashmë është synuar për të gjitha kompanitë. Rreth 87 përqind e kompanive kanë të drejtë të aplikojnë për këto masa. Vetëm masa e pagës minimale prej 14.500 denarë ka në target rreth 250.000 vende pune dhe 35.000 ndërmarrje”, deklaroi Bytyqi.
Me një mbështetje të këtillë, shtoi Bytyqi, që do të sigurohet në kushte të caktuara, do të thotë se kompanitë do të duhet të dëshmojnë se të ardhurat e tyre janë zvogëluar dhe të njejtat janë prekur nga kriza.