Shkup, 24 shkurt – Dhjetëra nga 29 masat nga pakoja e pestë ekonomike duhet të realizohen me miratimin e zgjidhjeve ligjore, ndërsa të gjitha të cilat janë të lidhura me Bankën zhvillimore tanimë janë në procedurë të Kuvendit, siç janë ligji për fonde investuese dhe ligji për garanci shtetërore. Në procedurë kuvendore janë edhe disa zgjidhje tjera ligjore, të cilat do t’i operacionalizojnë masat nga pakoja e katërt dhe e pestë, deklaroi sot zëvendës kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Instrumentet, siç tha ai, janë të njëjta dhe masat do të operacionalizohen kur ato të miratohen.
“Disa nga masat miratohen me zgjidhje ligjore, ndërsa disa me konkludime nga Qeveria ose duhet të zbatohen me programet ekzistuese që tanimë janë konfirmuar nga institucionet e ndryshme ose organet e drejtorisë. Masat do të zbatohen gjatë tërë vitit përmes procesit inkluziv. Për atë që ishte më urgjente – përkrahja financiare e rrogave, zgjidhja ligjore u miratua në Qeveri atë ditë kur janë promovuar masat dhe tanimë ka hyrë në procedurë kuvendore për miratim. Vlerësoj se këtu përfundon mundësia që ne si pushtet ekzekutiv të reagojmë për atë se kur dhe si do të miratohej ligji”, tha Bytyqi në përgjigje të pyetjes në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri, së bashku me drejtorin e Agjencisë për kadastër të patundshmërive, Boris Tunxhev.
Miratimi i zgjidhjeve ligjore, potencoi ai, është i rëndësishëm për ekonominë dhe për ballafaqimin me pasojat ekonomike, që i kanë qytetarët dhe ekonomia nga kriza me Kovid-19.
“Për këtë shkak sa më shpejtë duhet të miratohen në procedurë kuvendore. Si funksionar jam vendosur që t’u shërbej qytetarëve, e deputetët, poashtu. Vlerësoj se mandati im përfundon kur të gjejmë zgjidhje adekuate dhe do ta dërgojmë në Kuvend. Vlerësoj se virtyti i secilit prej nesh është të ngritemi mbi interesat tona partiake dhe personale që t’u ndihmojmë qytetarëve, kur e kanë më vështirë. Pikërisht për këtë shkak vlerësoj se do të gjendet kuorum dhe virtyt që Kuvendi të punojë edhe përtej kohës nëse duhet, pasi kjo është përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve”, tha Bytyqi.
Për masën e dytë nga pakoja e pestë, e cila poashtu ishte e orientuar ndaj ekonomisë, ai tha se zgjidhja ligjore është e lidhur me propozimet tanimë ekzistuese ligjore për garancën shtetërore dhe linjat kreditore që zbatohen me Bankën zhvillimore, që janë dhënë në Kuvend dhe kur të miratohet, siç tha, menjëherë do të mund të fillojë me operacionalizim.
“Për zgjidhjen ligjore për shlyerje të kamatave, ende po bëjnë konsultime me ndërmarrjet komunale publike, njësitë e vetqeverisjes lokale dhe organet e drejtorisë, që të gjendet qasja më e lehtë dhe të bëhet operative. Pritja jonë është se kjo masë të jetë e operacionalizuar në mars ose prill, pasi është e domosdoshme procedurë e madhe kuvendore, nëpër të cilën duhet të miratohet Ligji”, tha Bytyqi.