Shkup, 21 shtator – Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Ekonomike, koordinim të resorëve ekonomikë dhe investimeve, Fatmir Bytyqi, sot realizoi takim me sekretaren e përgjithshme të Këshillit për bashkëpunim rajonal, Majlinda Bregu, ku u bisedua për avancimin e bashkëpunimit ekonomik të vendeve nga Ballkani Perëndimor.
Bytyqi, siç informojnë nga kabineti i tij, në takimin me Bregun, theksoi se një nga prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë në këtë mandat, do të jetë avancimi i bashkëpunimit ekonomik me vendet nga rajoni dhe ngritja e konkurrencës së rajonit në tërësi.
“Të punojmë bashkarisht që ta shfrytëzojmë përparësinë e konkurrencës që secili nga vendet e Ballkanit Perëndimor e merr me bashkëpunimin e ndërsjelltë. Ta shfrytëzojmë këtë moment nga Kovid-19 i cili krijoi urgjencë dhe nevojë të fuqishme për veprim në drejtim të bashkëpunimit rajonal, de ta shfrytëzojmë bashkarisht si rajon më i fuqishëm të hyjmë në periudhën ekonomike post-Kovidit”, theksoi zëvendëskryeministri Bytyqi.
Bytyqi dhe Bregu, gjithashtu, u dakorduan se bashkëpunimi mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit për bashkëpunim rajonal do të vazhdojë edhe më tej, për zhvillim ekonomik të vendeve dhe rajonit, si një nga elementet më të rëndësishme në procesin eurointegrues.