Tetovë, 7 nëntor – Vëllimet e fundit VI, VII dhe VIII të shkrimtarit dhe historianit nga Prishtina, Jusuf Buxhovi përmbyllin projektin gjigant “Kosova”, që po konsiderohet si i pari në historiografinë shqiptare. Në ambientet e Universitetit të Tetovës u promovuan këto tri vëllime, ku autori përballë studentëve realizoi një ligjëratë me temën “Vendi i Shqiptarëve në Maqedoni i parë nga këndvështrimi historik, etnik dhe politikë që nga antikiteti deri tek në ditët e sotme”. Autori Jusuf Buxhovi tha se vëllimi i gjashtë i veprës “Kosova” i kushtohet Maqedonisë e në veçanti Tetovës, nga ku, siç tha ai, kanë lëvizur idetë arsimore, politike dhe intelektuale. Redaktori i librit Ramadan Musliu theksoi që tri vëllimet e fundit të vepëës “Kosova” janë përmbyllja e një projekti gjigant të historisë së Kosovës, Buxhovi është një ndër të vetmit autor që është marrë me problemet shqiptare të Maqedonisë, duke analizuar çështjen në prizmin historikë, etnik dhe politikë, dhe në këtë rast i njëjti ka thyer tabu. Aktualisht veprat e autorit Jusuf Buxhovi janë të përkthyera në disa gjuhë si anglisht, serbisht, kroatisht dhe turqisht. (U.H)