Shkup, 19 dhjetor – Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e sotme të tretë miratoi propozim -buxhetin e Qytetit të Shkupit në vitin 2018, që është për 10% më i vogël në krahasim me buxhetin për vitin 2017 i propozuar dhe miratuar nga udhëheqja e mëparshme e Qytetit. Buxheti i Qytetit të Shkupit për vitin 2018 arrin në gjithsej 6.2 miliardë denarë.
“Në seancën e sotme si pika të rendit të ditës janë dy dokumentet më të rëndësishme që një njësi e vetëqeverisjes lokale i miraton gjatë një viti, e ato janë: Plani i programeve për zhvillim për periudhën 2018-2020, respektivisht pjesa zhvillimore e propozim -buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin 2018. Edhe pse afati kohor nga marrja e funksionit tim si kryetar i Qytetit të Shkupit dhe afati ligjor për projektimin e propozim -buxhetit për vitin e ardhshëm ishte i shkurtër, unë dhe bashkëpunëtorët e mi kemi investuar maksimumin që atë të cilën ne e planifikojmë, e besojmë dhe për të cilën kemi luftuar ta shndërrojmë në këto dokumente. Qëllimi ynë kryesor dhe përfundimtar është Shkupi të jetë qytet funksional, qytet i gjelbër, qytet i çiklizmit, qytet që lidh, një qytet për të gjithë! Ky është qëndrimi im, angazhimi im dhe për këtë unë do të luftoj së bashku me të gjithë ju”, tha kryetari Petre Shilegov, përpara këshilltarëve.
“Për vitin 2018, buxheti i përgjithshëm i Qytetit të Shkupit vlerësohet në 6.2 miliard denarë dhe është 10% më i vogël se ai i vitit 2017. Megjithatë, theksin e kemi vendosur në përmirësimin e mjedisit jetësor, zhvillimin e rrjetit transportues, një pjesë për infrastrukturën rrugore, infrastrukturën komunale, ndërtimin e sistemeve të furnizimit me ujë, që do të thotë për investime që do të kontribuojnë në rritjen më të mirë ekonomike dhe zhvillimin e qytetit tone”, tha Shilegov.
Kryetari para këshilltarëve paralajmëroi disa projekte më të mëdha në të cilat qyteti planifikon të investojë në vitin 2018 dhe të fillojë një histori e re suksesi për Shkupin:
– Investimet në transportin publik përmes blerjes të autobusëve eko-elektrikë dhe riparimi i stacioneve të autobusëve – furnizimi i displejëve të rinj informativ;
– Investime në dixhitalizimin dhe qasje elektronike në shërbimet e ofruara nga administrata e qytetit me qëllim të rritjes të shërbimeve ndaj qytetarëve përmes softverëve të rinj, dixhitalizimit, blerjes të pajisjeve dhe të ngjashme. Kjo përfshin implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të mençur për menaxhimin me ndriçimin rrugor, si fillim i projektit Shkupi Smart Siti;
– Investime në mbrojtjen e mjedisit jetësor përmes disa projekteve të ndryshme, si: ndërtimi i shtigjeve të reja për biçikleta, për këmbësorë dhe trim-korsi, ngritjen e gjelbërimit publik të rrugëve magjistrale dhe parqeve, projekte për sipërfaqe të gjelbra të kulmeve të ndërtesave të banimit, në mënyrë që gjelbërimi të rritet në mënyrë drastike në Shkup. Paratë e dedikuara për sektorin e mjedisit jetësor në vitin 2018 janë pothuajse tre herë më shumë se ato të parashikuara nga buxheti aktual;
-Në fushën e infrastrukturës planifikojmë të fillojmë me projektimin e disa rrugëve të ndara të cilat sipas nesh mund të japin rezultat në zgjidhjen e problemeve të trafikut në pjesë të caktuara të qytetit, e kjo përfshin planifikimin dhe ndërtimin e bulevardeve të reja, rrugëve të qytetit dhe infrastrukturës tjetër;
– Investimet në efikasitetin energjetik të ndërtesave përmes rinovimit të fasadave për të gjitha shkollat e mesme në kompetencë të Qytetit të Shkupit, si dhe furnizimin e pastruesve të ajrit – jonizatorë në klasat e të gjitha shkollave të mesme të Qytetit të Shkupit;
– Zgjidhjen sistemore të problemit me qentë endacak duke përmirësuar kushtet e qenve të strehuar në Vardarishte në njërën anë dhe nga ana tjetër duke filluar përgatitjen e një Regjistri të qenve shtëpiak dhe endacak;
– Investime në mbrojtjen nga zjarret, veçanërisht nga aspekti i shërbimeve më efikase nga Brigada zjarrfikëse, si dhe siguri dhe mbrojtje më të madhe për punësuarit.
Propozim -Buxheti i Qytetit të Shkupit për vitin 2018 është realizuar në baza reale dhe në përputhje me dispozitat ligjore në Republikën e Maqedonisë dhe me të janë përfshirë të gjitha të hyrat dhe hyrjet e parashikuara, shpenzimet dhe daljet për vitin e ardhshëm, me të cilat mundësohet realizimi papengesa i kompetencave të Qytetit të Shkupit.