Buxheti i qytetarëve më i lartë se i shtetit

Zejnulla VESELI

Shkup, 27 janar – Qytetarët e Maqedonisë deri në fund të vitit 2016 ua kanë besuar bankave në Maqedoni më shumë se 3.6 miliardë euro, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë, qytetarët përfundimisht me muajin dhjetor të vitit të kaluar, kanë kursyera 3.6 miliardë euro. Kjo rritje e kursimeve, sipas BPM-së, tregon se po kthehet besimi i qytetarëve te bankat pas tërheqjes së një shume të depozitave nga ana e qytetarëve gjatë muajit mars dhe prill të vitit të kaluar. “Të dhënat tregojnë se niveli i kursimeve në depozita, në fund të muajit dhjetor të vitit 2016, është shumë më i lartë se në muajin mars të po këtij vitit, para se të fillonte paniku i qytetarëve kur brenda një muaji nga bankat tërhoqën mbi 1 miliard denarë apo rreth 170 milionë euro. Ky trend i tërheqjes së depozitave u ndërpre në fillim të muajit qershor të vitit të kaluar, dhe deri në fund të këtij viti kursimet e qytetarëve të ritën për 1.2 miliardë euro. Kursimet më të mëdha të qytetarëve janë në valuta të huaja dhe, krahasuar me muajin janar të vitit të kaluar kur kursimet në valuta të huaja kapnin shifrën prej 17.2 miliardë denarë, gjendja momentale e kursimeve në valuat të huaja është për 3.5 miliardë denarë më shumë dhe arrin shifrën totale prej 20.59 miliardë denarë “, thuhet ne raportin e BPM-së. Për ekspertët ekonomik, shuma e mjeteve të kursyera nga qytetarët, konsiderohet si befasuese kur kemi parasysh se Maqedoni ka shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, ndërsa në anën tjetër kanë arritur bankave t’ua besojnë 3.6 miliardë euro. Sipas profesorit të ekonomisë, Nasir Selimi, arsyeja pse qytetarët paratë e tyre i deponojnë nëpër banka është për dy arsye. “E para ka të bëjë me klimën e ulët të ambientin për të bërë biznes në Maqedoni dhe e dyta, për shkak se nuk ndjehen të sigurt që të investojnë kapitalin e tyre familjar që e kanë. Kjo njëherësh tregon se pse qytetarët kanë zgjedhur mënyrën që paratë që ata i kanë në dispozicion, t’i ruajnë si kursime nëpër banka e jo të përdoren për investime”, thotë për KOHA, Selimi. Edhe Besnik Fetai, profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë se mungesa e një strategjia të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik të vendit nga ana e qeverive të deritanishme të Maqedonisë, për t’i nxitur qytetarët, por edhe mërgimtarët, që parat e tyre t’i investojnë në vendlindje. Pjesa me madhe e tyre me vite parapëlqejnë që këto para t’i ruajnë si kursime në banka. “Në Maqedoni me vite mungon strategji mirë e hartuar për zhvillim ekonomik të vendit, që do t’ju mundësonte qytetarëve si dhe mërgimtarëve që kapitalin e tyre financiar të fituar me djersë, ta investojnë në të bërit biznes. Është absurde që kursimet e qytetarëve të jenë më të larta se buxheti i Maqedonisë dhe këto para të mos investohen në krijimin ndonjë biznesi privat. Pjesa më e madhe e këtyre depozitave të kursyera, me siguri janë para të mërgimtarëve që punojnë jashtë vendit dhe të njëjtit kur vijnë për pushime në Maqedoni i deponojnë nëpër banka”, thotë Besnik Fetai, ekspert ekonomik.

 

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.