Buxheti i vitit të ardhshëm i Komunës së Gostivarit është projektuar që të jetë 18.4 milionë euro dhe do të jetë më i lartë se këtë vit për 10 për qind
Urim HASIPI
Gostivar, 22 dhjetor – Si shumicat e komunave në Maqedoninë e Veriut, edhe Komuna e Gostivarit një pjesë të mirë të Buxhetit për vitin 2020, do ta dedikojë për infrastrukturë, ujësjellës, kanalizime dhe projekte ndriçim publik. Në këtë drejtim, derisa buxheti është në shqyrtim publik, autoritetet e Komunës së Gostivarit pohojnë se realizimi i buxhetit për vitin e kaluar është 95 për qind. Ndërkaq, buxheti i vitit të ardhshëm i Komunës së Gostivarit është projektuar që të jetë 18.4 milionë euro dhe do të jetë më i lartë se këtë vit për 10 për qind. Kjo u tha në debatin publik me qytetarët të propozim-buxhetit për 2020-tën nga përfaqësuesit e Sektorit për Financa pranë Komunës së Gostivarit, shkruan gazeta KOHA.
Mbushja e arkës së buxhetit do të bëhet nga të ardhurat tatimore, të ardhurat jotatimore, të ardhurat kapitale, transferet dhe donacionet dhe detyrimet e brendshme. Rritja e buxhetit, thanë kompetentët, vjen si rezultat i mirë-planifikimit dhe realizimit të lartë të buxhetit të këtij viti. Sadri Elezi nga Sektori për financa dhe buxhet, tha se Gostivari – buxhetin e sivjetëm ka arritur ta realizojë deri në 95 për qind. “Me buxhetin e vitit 2020, komuna ka paraparë të rregullojë disa rrugë e rrugica në qytet dhe fshatra, ndërtim të ujësjellësit dhe kanalizimeve, ndriçim publik, e kështu me radhë. Për të gjitha këto investime infrastrukturore janë paraparë 3 milionë euro”, tha Gazmend Ismaili nga Sektori për Buxhet dhe Financa pranë Komunës së Gostivarit. Ismaili sqaroi se këto janë mjete të parapara vetëm nga buxheti, do të ketë edhe investime tjera kapitale të parapara nga Plan-Programi Zhvillimor i vitit tjetër, ku ka mjete nga donacionet dhe ministritë. Propozim-buxheti duhet të kalojë në Këshillin e komunës deri në fund të vitit. Po ashtu, krahas projekteve në sferën e infrastrukturës, komuna e Gostivarit në bazë të programës për bursa, në vitin 2020 do të ndajë bursa për nxënësit më të talentuar nga komuna dhe atyre që u rrezikohet mbijetesa sociale.
Sipas informacioneve nga komuna e Gostivarit, për vitin e ardhshëm parashihet të rregullohet edhe një shëtitore përgjatë lumit Vardar, e cila do të adaptohet edhe për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa mjetet janë siguruar përmes UNDP-së, dhe financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Vlera e projektit është 50 mijë franga zvicerane. Krahas realizimit të këtij projekti, komuna e Gostivarit në Programin zhvillimor për vitin 2020 ka paraparë 200.000 euro për zgjerim të shëtitores aktuale. Ndryshe, vitin që po lëmë pas, Buxheti i Komunës së Gostivarit kishte shkaktuar shumë përplasje mes partive politike që përbëjnë shumicën dhe pakicën në këshillin e komunës. (koha.mk)