Nga mbledhja e tatimit në buxhetin e Komunës së Gostivarit, në tre muajt e parë janë arkëtuar 11 milion denarë, por nga sektori për financa thonë se bëhet fjalë për vendime që u janë dërguar qytetarëve gjatë vitit të kaluar
Urim HASIPI
Tetovë, 21 maj – Buxheti i Komunës së Gostivarit në tre mujorin e parë është realizuar mbi 20 për qind. Përgjegjësit e sektorit për buxhet realizimin e buxhetit e vlerësojnë kryesisht në nivel të mirë, por ky realizim është bërë gjatë periudhës kur nuk kishte pandemi të koronavirusit, ndërsa pasojat ndaj buxhetit të komunës do të dalin në sipërfaqe në muajt e ardhshëm. “Kemi një realizim të mirë dhe nëse vazhdohet kështu, realizimi i buxhetit deri në fund të vitit do të jetë rreth 90 për qind nga buxheti i planifikuar, pa rishikim. Në buxhetin bazë kemi 21 për qind realizim, në vetëfinancim kemi 22 për qind, në dotacione kemi 25 për qind dhe tek donacionet kemi 6 për qind”, thonë në Komunën e Gostivarit.
Nga mbledhja e tatimit në buxhetin e Komunës së Gostivarit, në tre muajt e parë janë arkëtuar 11 milion denarë, por nga sektori për financa thonë se bëhet fjalë për vendime që u janë dërguar qytetarëve gjatë vitit të kaluar. “Këtë kohë tek tatimet kemi të hyra prej 11 milion e 500 mijë denarë , që do të thotë se mesatarja është e mirë, sepse kjo kohë është specifike, pasi që sektori grumbullon të dhëna për tatime të vitit të kaluar, pra nuk janë përfshirë muajt e parë të këtij viti, dhe ne presim që në të ardhmen arkëtimi të jetë në nivel më të mirë”, bëjnë të ditur nga Komuna e Gistivarit.
Buxheti i Komunës së Gostivarit është projektuar rreth 18,5 milion euro, kurse sipas vlerësimeve rishikim të buxhetit mund të ketë kah mesi i këtij viti. “Profesionistët, buxhetin e Komunës së Gostivarit e konsiderojnë si buxhet zhvillimor, për arsye se 3 milion euro si asnjëherë deri më tash janë të parapara për investime kapitale, për riparim të shkollave, riasfaltim të rrugëve, kanalizime, ujësjellës, çerdhe të reja, kështu që vite më parë investimet maksimale kanë qenë 1 milion e gjysmë dhe shpresoj që vitin 2020, edhe pse është vit zgjedhor, do kemi pak pengesa në shpallje të cilat i bëjmë për investime. Shpresoj që ta bëjmë përsëri realizimin e buxhetit sikur vitin 2019, të kemi realizim buxheti aq sa kemi paraparë, pra 3 milion euro të jenë investuar me projekte të ndryshme të parapara”, kishte deklaruar kryetar i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, gjatë miratimit të këtij buxheti.
Sa u përket projekteve për infrastrukturë moderne dhe mjedis të pastër, Komuna e Gostivarit ka paraparë 68 projekte, vlera e të cilëve kap shifrën e 8 milion eurove, ndërsa në ujësjellës dhe kanalizim janë paraparë 21 projekte kapitale, të cilat do të realizohen me buxhet prej 11 milion eurove. Për arsim janë ndarë mbi 400 mijë euro, ndërsa për kulturë 3 milion denarë. Në vitin 2020 Komuna e Gostivarit ka paraparë mbi 120 projekte në disa sfera si infrastrukturë, ujësjellës e kanalizim, arsim dhe kulturë, të cilat kapin vlerën e afro 20 milionë eurove.