Shkup, 13 dhjetor – Ministri i Kulturës në Republikën e Maqedonisë, Robert Allajgjozovski, ka thënë se në buxhetin e vitit 2018 për kulturën kanë bërë shkurtime të harxhimeve ”megalomane dhe joproduktive” të parave të qytetarëve.
Ai theksoi se do të investohet në kulturë dhe art. Për vitin 2018 janë ndarë mbi 4 miliardë denarë, respektivisht afër 70 milionë euro, që paraqet një rritje prej 4.48%, krahasuar me vitin 2017. 90% e buxhetit do të përdoret për financimin e veprimtarive në sferën e kulturës, kurse vetëm 9% në atë të harxhimeve administrative.
Allajgjozovski sqaroi se do të vazhdohet obligimet e trashëguara financiare për Filarmoninë, pastaj për Teatrin shqiptar në Shkup, teatrin dhe bibliotekën e Tetovës, duke vazhduar me aktivitete teatrore, mbrojtje të trashëgimisë kulturore, veprimtari muzikore dhe skenike-artistike, veprimtari folklorike, veprimtari të muzeve, si edhe për Agjencinë për film.