Përvojat nga vitet e kaluara na tregojnë se më shumë investime kapitale mbesin vetëm në letër, ndërkohë që mungon një planifikim më i kujdesshëm i nevojave dhe kërkesave reale të popullatës dhe biznesit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 nëntor – Propozim-buxheti i vitit 2020 si dhe projektet që ai i parashikon, vështirë se do të realizohen tërësisht. Një pjesë e ekspertëve ekonomik vlerësojnë se ai është tejet ambicioz dhe do të ketë vështirësi që në vitin e ardhshëm edhe të shohim rrumbullakësimin e më shumë projekteve të planifikuara deri në fund, shkruan gazeta KOHA.
Sipas profesorit universitar, Mislim Zendeli, përvojat nga vitet e kaluara na tregojnë se më shumë investime kapitale mbesin vetëm në letër. Sipas tij, mungon një planifikim më i kujdesshëm i nevojave dhe kërkesave reale të popullatës dhe biznesit. Një ngarkesë për ekonominë e vendit mbetet edhe borxhet e reja për të financuar premtimet ekonomike vlerëson ai. “Pres që përkundër premtimeve të mëdha,megjithatë të ketë realizime minimale për shkak të vështirësive me financimin e tyre ku duhet të hyjmë në borxhe të mëtejshme për financimin e projekteve kapitale. Për shembull me vite në Tetovë premtohet ndërtimi i shkollës në Reçicë të vogël, apo ndërtimi i teatrit, mirëpo shohim se premtohet në Tetovë dhe ndërtohet në Gjevgjeli”, shton më tej Zendeli.
Sipas tij, ndër projektet kryesore që duhet të merren parasysh për zhvillimin ekonomik të Tetovës janë zgjerimi dhe modernizimi i rrugës Jazhincë-Tetovë, që është lënë anash me vite dhe nuk ndihmon zhvillimin ekonomik të fshatrave të kësaj ane, si dhe investimet më të mëdha në infrastrukturë, arsim të mesëm dhe arsim të lartë.
“Si prioritet për të investuar në arsimin në Pollog mbetet jo ndërtimi i një kampusi universitar apo një mense për studentët, për shkak se tani kemi më pak studentë që studiojnë edhe në universitetet e tjera, por imediate është përmirësimi i kushteve të procesit edukativo arsimor në USHT. Nevojitet të investohet seriozisht dhe me prioritet edhe në kabinetet e shkollave të mesme profesionale me qëllim që nesër prej atje të nxjerrim kuadro të gatshme që nesër nuk do të ikin por do të mbesin këtu, duke filluar nga kuzhinierët, kamerierët, saldarorët, elekticistët, muratorët etj”, sqaron Zendeli disa nga prioritetet ku duhet të orientohen investimet kapitale në rajonin e Pollogut.
Në ndërkohë, investimet kapitale për vitin 2020 janë parashikuar të jenë 374 milionë euro, por mbetet të shikohet se sa ato do të realizohen duke marrë parasysh realizimin e tyre të ulët në vitet e kaluara. Bile në buxhetin e vitit 2019 janë parashikuar 422 milionë investime kapitale, ndërsa deri në fund të muajit gusht janë realizuar vetëm 119 milionë euro apo vetëm 28 për qind e tyre.
Nga Instituti Fajnens Think,vlerësojnë se edhe në vitin 2020, rrezikohet realizimi i investimeve kapitale për shkak të funksionimit jo me kapacitet të plotë të ministrive në gjysmën e parë të vitit 2020, si rrjedhojë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe qeverisë teknike. Tek investimet kapitale mungon edhe një zgjidhje strukturore për përmirësimin e procesit të planifikimit dhe rritjen e kapaciteteve për implementimin teknik të investimeve kapitale.
Nga ana tjetër, në vitin e ardhshëm shteti do të hyjë në borxh prej afër një miliardë euro, prej të cilëve 560 milion euro do të kërkohen të holla nga kreditorët e jashtëm, ndërsa 440 milion euro do të merren borxh nga bankat vendore. Gjithashtu në vitin e ardhshëm do të duhet të kthehen edhe 700 milion euro borxhe të vjetra, kurse 300 milion euro do të ndahen për investime kapitale prej borxhit prej një miliardë euro. Pritet edhe rritja e borxhit publik nga 47.7 për qind të në 51 për qind të PBB-së. Nga Instituti Fajnens Think vlerësojnë se propozim-buxheti për vitin e ardhshëm është përgatitur në parashikime relativisht realiste për rritjen e ekonomisë prej 3.8 për qind dhe inflacionit prej 1.7 për qind.
Nga atje shtojnë se të ardhurat buxhetore janë parashikuar në mënyrë korrekte në bazë të rritjes së pritshme të ekonomisë, megjithatë realizimi i rritjes ekonomike do të jetë nën rreziqet e realizimit të investimeve kapitale dhe zhvillimit të ngjarjeve në skenën politike.
“Në shifrat e parashikuara për të ardhurat buxhetore, po njohim ambicien për luftë me ekonominë informale. Gjithashtu, konsolidimi fiskal lidhur me harxhimet cilësore dhe racionale të të hollave publike ka hapësirë për tu përmirësuar. Njëherësh Ministria e Financave dhe Qeveria akoma nuk kanë hapur një debat të gjerë dhe profesional se si të përmirësohet struktura e harxhimeve publike, me qëllim që të thuhet se buxheti është zhvillimor”, thonë nga ky institut. Ndryshe, propozim buxheti për vitin 2020 parashikon, ndër të tjerash, mjete edhe për Teatrin Shqiptar në Shkup, Teatrin në Tetovë, rikonstruimin e pendës së lumit Shkumbin në Shipkovicë, Universitetin “Nëna Terezë” në Shkup, mjete për Universitetin e Tetovës, Spitalin në Kërçovë etj.
Është premtuar edhe ndërtimi i gazsjellësit Shkup-Tetovë-Gostivar në gjatësi prej 76 kilometra me vlerë prej 29 milionë euro, ndërsa pritet të ndërtohet edhe shtëpia e kulturës në fshatin Kamjan në komunën e Bogovinës. Ndër projektet që do të fillojnë të realizohen në vitin 2020, është përgatitja e dokumentacionit teknik për komunën e Tetovës për blerjen e autobusëve si projekt që realizohet nga ana e Ministrisë së Financave me përkrahjen e Bankës Botërore. Është nënshkruar edhe marrëveshje për hua nga ana e Ministrisë së Financave me komunën e Tetovës për ndërtimin e një pjese të bulevardit “Video Smileski Bato”. (koha.mk)