Për subvencione bujqësore, në mot do të ndahen 6.6 miliardë denarë. Risi vitin e ardhshëm do të jetë ndryshimi i mënyrës së ndarjes së subvencioneve, ku gati gjysma apo 47 për qind e fermerëve që punojnë më pak se një hektar tokë, do të fitojnë subvencione fikse
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 nëntor – Buxheti i bujqësisë në vitin 2019 do të jetë i vlefshëm 10.5 miliardë denarë, ndërsa vetëm për subvencione bujqësore në mot do të ndahen 6.6 miliardë denarë. Risi vitin e ardhshëm do të jetë ndryshimi i mënyrës së ndarjes së subvencioneve, ku gati gjysma apo 47 për qind e fermerëve që punojnë më pak se një hektar tokë – do të fitojnë subvencione fikse, apo të vetme me procedura të thjeshtësuara. Paralajmërohet se edhe në mot, subvencionet të paguhen tërësisht dhe me kohë, shkruan gazeta KOHA.
“Buxheti i ri për vitin 2019 për sektorin e bujqësisë parashikon masa dhe politika që synojnë avancimin e bujqësisë, përmes rritjes së tokave punuese, krijimin e kushteve për bujqësi moderne dhe konkurruese. Gjithashtu, buxhetet themelore të institucioneve janë të planifikuara në atë mënyrë që do sigurojnë servisimin e nevojave rrjedhëse të sektorit bujqësor, dhe atë në radhë të parë pagesën me kohë të subvencioneve dhe përkrahjes tjetër financiare, realizimin e projekteve kapitale në vaditjen e tokës, zhvillimin rural, kofinancimin e fondeve evropiane”, tha ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski gjatë prezantimit të masave të ndryshme që parashikohen në vitin e ardhshëm. Sipas tij, qëllimi përfundimtar i masave të ndryshme që planifikohen në buxhetin për vitin 2019 për bujqit dhe bujqësinë, është të krijohen kushte për prodhimtari më të madhe në vëllim, rritjen e konkurrencës së saj dhe të ardhura më të mëdha për fermerët.
Njëherësh, do të fillojë edhe mbështetja financiare për 50 për qind e naftës së gjelbër për afër 55 mijë fermerë, me çka në përfundim e sipër janë të gjithë procedurat si dhe marrëveshjet me bankat komerciale.
Në buxhet janë parashikuar edhe mjete prej 200 deri 300 milionë denarë për sistemin e vaditjes Reçicë-Raven, ku në rrjedhë e sipër është edhe procesi i kompensimit të pronarëve të tokës, me çka do të vaditen afër 3500 hektarë në fushën e Pollogut. Vlera e tërësishme e investimit për realizimin e gypit kryesor të këtij sistemi meliorativ që filloi të realizohet në vitin 2018, arrin në 955 milionë denarë. Ai do të ndërtohet në dy faza në afat prej pesë vitesh dhe me mjete të Buxhetit të shtetit përmes Programit për Përkrahje Financiare të Zhvillimit Rural. Vitin e ardhshëm do të investohet edhe në sistemin e vaditjes në Dibër, me afër një milion euro.
Në kuadër të projekteve kapitale të vaditjes dhe furnizimit me ujë të banorëve, do të investohen edhe 184 milionë denarë për sistemin e vaditjes së Luginës së Vardarit të Jugut, 212 milionë denarë në digën Zletovica, dhe afër 27 milionë denarë në digën Lisiçe.
Ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski gjatë prezantimit të Buxhetit për bujqësinë e vitit të ardhshëm theksoi se janë fuqishëm të angazhuar si Qeveri për zhvillimin e bujqësisë si mbështetëse e madhe e zhvillimit ekonomik në shtet. Lidhur me problemin e përvitshëm të plasmanit të sigurt të prodhimeve bujqësore, ai tha se kjo është një çështje, ku problemet janë grumbulluar me vite të tëra dhe nuk mund të zgjidhet brenda nate, ndërsa kërkoi më shumë kohë.
“Në drejtim të zgjidhjes sistemore të shitjes së sigurt të prodhimeve bujqësore, ndërmerren më shumë aktivitete siç janë rritja e mjeteve për sistemet e vaditjes së tokës, përkrahja më e madhe për industrinë përpunuese, si dhe prej vitit të ardhshëm do të vendosen masa intervenuese nga Buxheti i shtetit në sistemin e subvencioneve sipas rekomandimeve të ekspertëve evropian. Në bisedë e sipër jemi edhe me investitorë nga jashtë për ndërtimin e qendrave grumbulluese, si dhe të përgatitjes së Strategjisë shtatëvjeçare zhvillimore të bujqësisë, ku do të trajtohet edhe problemi i grumbullimit të prodhimeve bujqësore”, thotë Nikollovski, duke shtuar se është intervenuar edhe për më shumë prodhime bujqësore me subvencione shtesë. (koha.mk)