Urim HASIPI
Tetovë, 9 mars – Galeria e Arteve në Tetovë këtë vit do të ketë buxhet të dyfishuar nga ana e Ministrisë së Kulturës. Kjo është theksuar gjatë vizitës së djeshme që i bëri Galerisë së Arteve sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri, me ç’rast edhe i ka dorëzuar Programën që e ka miratuar Ministria e Kulturës për këtë institucion, drejtorit Afrim Ziberi. “Për këtë vit kemi katërfishuar buxhetin për veprimtarinë e Galerisë së Arteve, ku janë paraparë të realizohen shumë projekte e të cilët kanë një buxhet shumë më të mirë se vitet e kaluara. Po ashtu, krahas Programës për punë që është miratuar, po ashtu kemi paraparë edhe disa investime në infrastrukturë. Viteve të kaluara buxheti ka qenë 1 milionë denarë, ndërsa këtë vit kemi një buxhet prej 4.400.000 denarë”, tha Aziri. Ai më këtë rast ka sqaruar se edhe për Galerinë edhe për Teatrin janë shumëfishuar mjetet. “Është hera e parë që institucionet shqiptare do të vjelin mjete buxhetore të dyfishuara diku edhe trefishuara. Sot ishim në vizitë edhe në Galerinë e Arteve ku u afruam edhe atyre Programin e vitit 2018. Pesëfish mjete më shumë janë ndarë për Koloninë e Artistëve, e cila është tradicionale në Galerinë e Arteve”, tha Aziri lidhur buxhetin e Galerisë së Arteve Pamore. Në ndërkohë, Aziri, Programën vjetore ia ka dorëzuar edhe Teatrit të Tetovës, respektivisht drejtorit Arsim Fazliu. “Ne kemi marrë parasysh kërkesat që ka pasur Teatri i Tetovës, është një program që kapë vlerën prej 7 milionë denarëve, që është një buxhet më i madh apo i dyfishuar nga viti i kaluar. Vlen të theksojmë se deri më tani, për teatrin e Tetovës për vitin 2018 janë ndarë 250 milionë denarë për investime në objektin kapital, i cili tash më ka marrë formën dhe trajtën e duhur”, deklaroi Aziri. Ndërkaq, drejtori i Teatrit të Tetovës, Arsim Fazliu, theksoi se këtë vit krahas Programës, po ashtu është rregulluar edhe problemi me ngrohjen qendrore.
“Hyjneshat”, ekspozitë kolektive në Tetovë
Njëzetegjashtë artiste të Artit Pamor nga shumë qytete të Maqedonisë dhe Kosovës tw enjten mbrëma në galerinë e Arteve Pamore në Tetovë hapën ekspozitën e tyre kolektive “Hyjneshat”. Organizatoret e kësaj ekspozite theksuan se kjo ekspozitë organizohet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas dhe është ekspozitë, e cila organizohet për të shtatën herë në vit. Në këtë ekspozitë gjithsej janë ekspozuar 26 vepra arti nga drejtimet e pikturës, skulpturës, grafikës, dizajnit grafik dhe fotografisë të punuara në ngjyra e teknika të ndryshme të kombinuara dhe me materiale tjera. Ekspozita do të qëndroj e hapur për publikun shtatë ditë.