Sipas këshilltarëve të opozitës, vetëm për “Verën kulturore” parashihen mjete mbi 300 mijë euro, kurse harrohen nevojat e qytetarëve siç janë kanalizimet, rrugët, rrjetet e ujësjellësit dhe shumë probleme të tjera elementare
Urim HASIPI
Tetovë, 25 dhjetor – Më 18 vota pro, 12 kundër dhe asnjë të përmbajtur, Këshilli i Komunës së Tetovës ka miratuar Buxhetin për vitin 2019. Këtë vit, buxheti arrin në 35 milionë e 600 mijë euro. Gjatë seancës, këshilltarët e opozitës kanë akuzuar komunën se pjesa më e madhe e buxhetit është e destinuar për rroga të punëtorëve të administratës, në sferën e arsimit, kurse shumë pak janë paraparë në pjesën e projekteve kapitale, shkruan gazeta KOHA.
Vërejtja e Aleancës për Shqiptarët kishte të bëjë me borxhin që ka Komuna e Tetovës dhe vendimin e Qeverisë për të shlyer borxhet. “Vërejtja jonë është se, fatkeqësisht, edhe Komuna e Tetovës është pjesë e 19 komunave që kanë shumë borxhe dhe sipas arsyetimit të administratës komunale dhe njoftimeve zyrtare, borxhi është krijuar sepse nuk është planifikuar më herët më mirë. Po ashtu, një kohë të gjatë janë bërë punësime të shumta dhe tashmë buxheti shkon për rroga të këtyre punëtorëve. Problem është se komuna nuk ka mundur të grumbullojë edhe tatimin në pronë, ku si rezultat i kësaj, në propozim-buxhetin e 2019 kisha vërejtje, pikërisht të njëjtën vërejtje që e kishte edhe Qeveria, se pse komunat nuk kanë grumbulluar tatimet dhe taksat komunale, prandaj nuk kanë patur mjete për të realizuar edhe programet dhe projektet e parapara”, tha Arif Selami, këshilltar i Aleancës për Shqiptarët.
Ndërkaq, Besar Durmishi nga Lëvizja BESA, theksoi se pakënaqësitë kanë të bëjnë me mos realizimit të Buxhetit gjatë viteve të kaluara. “Vërejtjet tona kanë të bëjnë me dështimin e realizimit të buxhetit të vitit paraprak dhe i njëjti buxhet propozohet për vitin 2019. Kemi propozime me shuma të mëdha të majme për investime kapitale, kurse realizimi nuk është as 20 për qind. Në këtë drejtim, për vitin 2018 ishin paraparë shumë projekte, rrugë, infrastrukturë, planifikime, pra projekte që prekin cilësinë e jetesës së qytetarëve, por deri në kuartalin e tretë, realizimi ka qenë vetëm 20 për qind”, tha Durmishi. Në ndërkohë, kryetari i Këshillit të Tetovës, Bekim Memeti, ka pranuar se një pjesë e buxhetit është për rroga, por ka shtuar se nuk janë lënë mangët as projektet kapitale.
“Është e vërtetë se një pjesë bukur e mirë e Buxhetit të Komunës së Tetovës shkon për rroga të punëtorëve, por këtu nuk bëjnë pjesë vetëm rrogat e administratës, por edhe të punëtorëve nëpër ndërmarrjet e komunës. Është e vërtetë se ka një shkurtim të buxhetit, por ne në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kemi arritur të bëjmë një buxhet duke përfshirë të gjithë sferat, si arsimin, urbanizmin, sportin, kulturën e kështu me radhë”, tha Memeti.
Sipas këshilltarëve të opozitës, vetëm për “Verën kulturore” parashihen mjete mbi 300 mijë euro, kurse qyteti ka nevoja të mëdha, siç janë kanalizimet, rrugët, rrjetet e ujësjellësit dhe shumë probleme të tjera elementare. Edhe këshilltarët e VMRO-DPMNE-së i kishin këto vërejtje se komuna më shumë harxhon për rroga, kurse nuk merren parasysh kërkesat e qytetarëve, siç është transporti publik, vendet e parkimi, rregullimi i rrugëve e kështu me radhë. (koha.mk)