Fajnens think vlerëson se në vend të fryrjes së shpenzimeve kapitale, nevojitet të vendoset fokus në efikasitetin e harxhimeve, si dhe në efektivitetin në aspektin e prioriteteve dhe investimit në projektet kapitale që do të japin efekt më të madh dhe ndikim ndaj rritjes ekonomike.
Fisnik Pasholli
Shkup, 31 korrik – Parlamenti gjatë kësaj jave miratoi rishikimin e arkës shtetërore. Parashikohet edhe rritje e madhe e harxhimeve nga arka e shtetit me rishikimin apo me rebalancin qeveritar. Ekzekutivi pritet të harxhojë 4 miliardë e 370 milion euro apo 345 milion euro më shumë se parashikimet fillestare për këtë viti. Për rritjen e madhe të arkës shtetërore flet edhe fakti se dhjetë vite më parë, apo në vitin 2011 vlera e tij ishte 2.6 miliardë euro. Thënë ndryshe, për dhjetë vite ai është rritur për afër 1.8 miliardë euro. Planifikohet që në emër të tatimeve të ndryshme, akcizave, doganave e kështu me radhë, nga qytetarët dhe biznesi të grumbullohen 162 milion euro më shumë. Kështu të ardhurat do të duhet të rriten nga 3 miliardë e 450 milion euro në 3 miliardë e 600 milion euro. Do të rritet edhe minusi apo deficiti në buxhetin e shtetit në 751 milion euro apo nga 4.9 për qind në 6.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Gropa në buxhet do të mbulohet edhe me huazime të reja brenda dhe jashtë vendit prej 300 milion euro. Njëherësh parashikohen rritje e arkëtimeve në buxhet prej 4,7 për qind, dhe të shpenzimeve prej 8,6 për qind. Do të ketë më shumë të holla edhe për masat për zbutjen e pandemisë, për pagesën e regresit për pushim për administratën apo k-15, për shëndetësi , bujqësi, kategoritë e prekura sociale etj. Biznesi kërkon që të bëhet më shumë kujdes me harxhimet e ndryshme, si dhe të ketë një përkujdesje maksimale për harxhimin produktiv të të hollave që nesër do të mbështesin ekonominë vendore.
Përkrahje ndaj ekonomisë
Nga Ministria e Financave thonë se rishikimin e buxhetit për vitit 2021, do të ketë më shumë të hyra në buxhet, më shumë mjete për shpenzime kapitale, për masa lidhur me përkrahjen e ekonomisë dhe qytetarëve për shkak të krizës së kovidit, për shëndetësinë, bujqësinë, për pagesat e rregullta të pagave, pensionet dhe të drejtat sociale. Gjithashtu shpenzimet realizohen në mënyrë të rregullt dhe në kohë në kuadër të parashikimeve dhe pritjeve. Të hyrat nga fillimi i vitit shënuan rritje prej 15.6 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Rebalanci për vitin 2021 është reflektim i situatës ekonomike, kujdesit në aspektin e shfrytëzimit të mjeteve publike dhe drejtimit të tyre drejt realizimit targeteve të përcaktuara, si dhe angazhimit në ballafaqimin e pandemisë. Gjithashtu stimuli fiskal për ekonominë dhe qytetarët vazhdon deri në rimëkëmbjen e plotë dhe kthimin e ekonomisë në rrugën e rritjes ekonomike”, thotë ministri i ekonomisë, Fatmir Besimi. Sipas tij, politika fiskale gjithmonë duhet t’i përgjigjet nevojave reale, ta përkrahë rritjen dhe zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe ta përmirësojë standardin e jetesës së qytetarëve. Prandaj, qëllimet kryesore të buxhetit për vitin 2021 janë përforcimi i financimit të sistemit të mbrojtjes shëndetësore dhe ruajtja e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, përkrahja e stabilizimit ekonomik dhe vendosja e themeleve për rimëkëmbjen e qëndrueshme ekonomike dhe rritjen e përshpejtuar, si dhe financimi i pandërprerë i funksioneve themelore të shtetit dhe përkrahja për reformat në gjyqësi dhe integrimet euroatlantike.
Biznesi kërkon stimulim financiar
Nga ana tjetër biznesi kërkon që në kohën e telasheve të mëdha të kompanive jo vetëm për mbijetesë por edhe për ringjalljen e tyre, që qeveria më shumë të orientohet në stimulimin më të madh jo vetëm financiar por edhe lehtësimin e biznesbërjes me më pak ngarkesa të ndryshme financiare dhe të tjera për afaristët. “Biznesi në vija të trasha kërkon më shumë mjete likuide në një kohë të rikuperimit të kompanive. Njëherësh lidhur me rebalancin , ne si qëndrim parimor mbështesim atë se nevojiten më shumë mjete për projektet që do të sjellin vlerë të shtuar të ekonomisë, si dhe kërkojmë një prioritet më të madh për projektet kapitale, për shkak se nga ajo që shohim deri tani kemi një realizim prej 30 për qind të tyre që nuk na bën shumë optimist për përfundimin sa më të madh të tyre deri në fund të vitit “, thonë nga OEMVP.
Investimet kapitale
Nga Instituti “Finance Think” thonë se rishikimi i fundit i buxhetit udhëzon se fokusi kryesor në periudhën e ardhshme do të jenë investimet kapitale, mirëpo sipas tyre në këtë pjesë duhet bërë kujdes për shkak të realizimit historik të ulët të projekteve kapitale. Nga ana tjetër, është alarmuese edhe shuma e benefiteve sociale dhe rritja e subvencioneve apo transfereve që në përgjithësi kanë komponentë joproduktive dhe nuk “sakrifikohen”, për investimet kapitale.
Finance Think njëherësh ka alarmuar edhe më parë për tendencën e rishikimit apo rebalancit të vitit të kaluar për shkurtime të kufizuara të harxhimeve joproduktive dhe shkurtime serioze apo fryrje të harxhimeve tek shpenzimet kapitale.
“Edhe ky rebalanc udhëzon për vullnetin e pamjaftueshëm për shkurtimin e shpenzimeve joproduktive dhe rritjen e harxhimeve kapitale jashtë mundësisë së institucioneve që të realizojnë projekte kapitale edhe me vëllim dukshëm më të vogël(siç ishte rasti në periudhën para pandemisë). Njëherësh investimet kapitale janë faktori kryesor për stimulimin e rritjes ekonomike në një periudhë afatgjate, që do të jetë sidomos i rëndësishëm në periudhën e pas pandemisë”, thonë nga ky institut.
Megjithatë nga atje shtojnë se pandemia shkaktoi edhe ndryshime të rëndësishme në kapacitetet fiskale. Nga njëra anë u rritën nevojat për harxhime urgjente për të menaxhuar krizën, ndërsa nga ana tjetër u zvogëluan të ardhurat, që rezultoi me rritje të minusit apo deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Në këtë drejtim, në vend të fryrjes së shpenzimeve kapitale , nevojitet të vendoset fokus në efikasitetin e harxhimeve, si dhe në efektivitetin në aspektin e prioriteteve dhe investimit në projektet kapitale që do të japin efekt më të madh dhe ndikim ndaj rritjes ekonomike.
Rritja ekonomike
Në vitin 2021 parashikohet rritje ekonomike prej 4.1 për qind, rritje të eksportit për afër 10 për qind, ulje e papunësisë në afër 16 për qind. Ekzekutivi pret që ekonomia të rimëkëmbet gjatë këtij viti, me ç’rast rol të rëndësishëm në rikuperimin e saj dhe intensifikimin gradual të saj do të kenë investimet. Rritja reale e investimeve bruto është projektuar në 8 për qind për vitin 2021, në kushte të rritjes së pritur të investimeve publike dhe private. Konsumi, pritet të shënojë rritje reale prej 4 për qind, kurse rritja e konsumit publik është e projektuar në 4.3 për qind. Eksporti parashikohet të shënojë rritje prej 10.6 për qind, kurse importi prej 11 për qind në bazë reale. Numri i të punësuarve parashihet të rritet me 1 për qind, gjë që do të kontribuojë që shkalla mesatare e punësimit të rritet në 47.5 për qind, ndërsa shkalla e papunësisë të ulet në 15.8 për qind.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar të parashtruara në raportin gjasat globale ekonomike 2021, ekonomia e Maqedonisë së Veriut në vitin 2021, do të rritet me 3.8 për qind, ndërsa në vitin 2022 do të kemi një rritje prej 3.5 për qind.
Nga ana tjetër, Banka Botërore në raportin e saj parashikon një rritje prej 3.6 për ekonominë e vendit në vitin 2021 dhe 3.5 për qind në vitin 2022. Rivendosja e besimit të konsumatorit dhe biznesit, si dhe paqëndrueshmëritë politike janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm të rikuperimit ekonomik. Buxhetet shtetërore në rajon do të jenë të ngarkuara në mënyrë shtesë me harxhime tjera për tejkalimin e efekteve të dëmshme ekonomike të shkaktuara nga pandemia, vlerëson më tej Banka Botërore.
Nga atje shtojnë se kushtet e volitshme për rritje ekonomike në suaza afatgjate dhe për rritjen e produktivitetit në Maqedoninë e Veriut do të kenë reformat strukturore si pjesë e përgatitjes për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian, nën supozimin se nuk do të anulohet fillimi i pritshëm i negociatave me BE-në. Gjithashtu edhe analizat e ndryshme, por edhe autoritetet e ndryshme globale, vlerësojnë se një sfidë e madhe për Evropën dhe Ballkanin perëndimor do të jetë edhe vendosja graduale e pandemisë nën kontroll, si dhe vaksinimi në masë i popullatës që do të rrisë edhe gjasat për një ekonomi më stabile.