Emri i tij është gjithnjë tek ato intervistat më të spikatura të shoubizit shqiptarë dhe jo vetëm. Butrint Avdyli tashmë një kohë të gjatë po ushtron profesionin e gazetarit në fushën e artistëve të njohur ndërkohë që sot vjen në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA për të treguar gjithë eksperiencën e tij në këtë punë, sfidat me të cilat përballet e shumë gjëra që nuk keni ditur për një gazetar
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Kalove edhe një vit me mjaft impenjime, na e përshkruaj si ka qenë ky vit për juve?
Një vit me shumë punë, shumë angazhime – rezultatin dhe shpërblimin e shumicës prej të cilave pres ta shoh në vitin që vjen. Përgjithësisht, sa i përket shëndetit ka qenë një vit i mbarë. Por, mirëpres më shumë fat në vitin 2020.
KOHA: Keni intervistuar shumë personazhe, kë do e kishit veçuar nga të gjithë?
Ka pasur shumë artistë që më kanë lënë përshtypje të mirë kur i kam njohur dhe intervistuar nga afër. Do të veçoja këtë vit intervistën me Bebe Rexhën, si një artiste që më pëlqen dhe e kam dëshiruar këtë intervistë me të prej vitesh. Do ta ruaj si një ndër intervistat më të veçanta të karrierës.
KOHA: Keni pasur momente të vështira gjatë realizimit të intervistave?
Normalisht që ka vështirësi gjatë punës. Kryesisht ka të bëj me vonesat e artistëve për shkak të orarit të tyre të ngjeshur, por mund të ndodhin edhe probleme teknike si prishja e kamerës apo mikrofonit. Një rast që ia vlen të veçoj është kur u nisëm me kolegun tim kameraman për të bërë një nga intervistat dhe përveç shtetit se ku do të mbërrinte artisti nuk kishim as edhe një informacion tjetër. Në këtë rast arritëm që vështirësinë për gjetjen e lokacionit të tejkalojmë, madje edhe kompromisin me sigurimin e artistit, duke arritur kështu deri te realizimi i intervistës me sukses.
KOHA: Zakonisht nga përvoja them se ka edhe kërcënime, ju kanë ndodhur për ‘x’ arsye?
Profesioni i gazetarit është me shumë përgjegjësi dhe në shumë raste i paragjykuar. Mund të ndodhin keqkuptime apo edhe gabime në shkrim, ndaj ekzistojnë edhe demantet dhe kërkim-faljet, por gjithmonë është mirë të mos arrihet deri aty. Personalisht nuk më ka ndodhur të më kërcënojnë duke më kërkuar të fshij lajm, por më ka ndodhur që “X” personazhi të jetë në dijeni që unë kam një informacion që ai i detyrohet publikut dhe i njëjti më pas ka zgjedhur rrugën e vetë-deklarimit dhe gjithçka ka përfunduar me kompromis.
KOHA: Si është një ditë e juaja nga mëngjesi deri kur mbyllni sytë por jashtë obligimeve?
Ditët e mia janë shumë të ngarkuara, në të shumtën e rasteve ato fillojnë në 7:00 të mëngjesit dhe përfundojnë në 00:00 të natës. Zgjohem herët për të shkuar në universitet, më pas vazhdoj punën dhe në orët e vona gjendem në shtëpi duke u përgatitur për të nesërmen. Në ditët më me pak ngarkesë, palestra është e mirëpritur.
KOHA: Po kur jeni në punë si nisën dita dhe si mbaron?
Varet nga ngjarjet ditore. Mund të ketë ditë me intensitet të ulët, apo edhe me intensitet shumë të lartë pune në ditët kur ka zhvillime. E nisim herët, diskutojmë me kolegët në mbledhje dhe i ndajmë detyrat. Telegrafi kryesisht është një ambient i qetë pune dhe ruajmë një atmosferë të mirë me kolegët. Punojmë, qeshim, argëtohemi – të gjitha në të njëjtën kohë.
KOHA: Cilin personazh gjatë këtij viti keni dashur të intervistoni por nuk keni mundur?
Nuk ka pasur ndonjë personazh të caktuar nga tregu vendor gjatë këtij viti që nuk kam mundur ta intervistoj, fatmirësisht kam arritur që të përmbush të gjitha detyrat që i kisha targetuar në fillim të vitit. Mirëpo, për ata që më njohin, e dinë që Ed Sheeran dhe Rita Ora janë dy artistët e mi më të preferuar, me të cilët me shumë dëshirë do të doja të realizoja intervistë me ta në të ardhmen. Duket e vështirë dhe deri diku e pamundur, por ia vlen të shpresoj që një ditë do t’ia arrij…
KOHA: Po cilin e keni refuzuar, ka ndonjë emër?
Ka raste kur kërkesat nuk janë në përputhje me atë që ne e promovojmë, por që gjithsesi u kam sugjeruar dhe ndihmuar në një formë tjetër promovimi.
KOHA: Si do e mbani mend vitin që shkoi, ndonjë lajm të vitit që zbulove?
Vitin që shkoi do e mbaj mend si një vit të lodhur dhe me shumë punë, si në gazetari ashtu edhe drejtimin tjetër ku unë studioj. Dua dhe shpresoj që mundi i bërë gjatë këtë viti të marrë jetë edhe më shumë te viti që vjen. Lajme ka pasur shumë gjatë vitit, nuk do i quaja zbulime, por “ekskluzivitete”, të tilla kanë qenë disa prej rrëfimeve të artistëve që i detyroheshin një shpjegim lexuesve dhe prononcimin e tyre ma besuan mua, respektivisht medias ku unë punoj.
KOHA: Cilat janë planet për këtë vit, do vazhdoni në profesionin e njëjtë?
Krahas gazetarisë, unë merrem edhe me Arkitekturë, është dega të cilën kam zgjedhur ta studioj. Planet janë që edhe vitin që vjen të vazhdoj me angazhimin tim në këto dyja profesione. Gazetaria është profesion i shpejt dhe interesant, por që duhet reflektuar për situatën kur mbase nuk më çfarë t’i ofrosh publikut – por që për momentin ky mendoj se nuk është rasti im. Sido që të jetë jam i lumtur që pjesën tjetër të jetës e ndaj me profesionin tim bazë, Arkitekturën.
KOHA: Një urimi i yti për fund?
Duke qenë se ky botim është në Maqedoni, do iu dërgoja një përshëndetje dhe urim të veçantë të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë, që na ndjekin dhe janë lexuesit tanë më besnikë. Do iu uroja të gjithëve një vit të mbarë dhe me shumë suksese. Në një kohë kur angazhimet e shumta dhe jeta sociale na kanë kapluar.