Busti i Boletinit, dhurata e Mitrovicës për Vlorën

40

Nga e hëna, Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë i është shtuar edhe busti i Isa Boletinit. Kjo ishte një dhuratë e skulptorit mitrovicas Sabri Behramaj

Panteoni i heronjve në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë është pasuruar edhe me një nga emrat më të spikatur të viteve që i paraprinë pavarësisë së Shqipërisë. Busti i Isa Boletinit është aseti më i ri në muzeun më të rëndësishëm të historisë shqiptare në qytetin e Vlorës. Të hënën, në kuadër të aktiviteteve të Ditës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, skulptori mitrovicas, Sabri Behramaj, ia ka dhuruar fondit muzeor bustin e Isa Boletinit.

Në ceremoninë e zbulimit – ku morën pjesë zyrtarë lokalë dhe njerëz të artit – folësit kanë vlerësuar se busti i heroit nga Mitrovica pasuron Muzeun e Vlorës. Teksa ka falënderuar skulptorin Behramaj, Istref Dobi, drejtor i Muzeut Kombëtar në Vlorë, ka thënë se kjo dhuratë pasuron marrëdhëniet e ngushta mes Mitrovicës dhe Vlorës. Sipas tij, ky bashkëpunim ka filluar prej dy dekadash me binjakëzim të bibliotekave dhe muzeve të të dyja qyteteve.

“Tash po e gëzojmë këtë bashkëpunim edhe me një dhuratë simbolike e të vlefshme që, në fakt, ka brenda edhe art, zemërgjerësi dhe atdhedashuri”, ka thënë Dobi, përcjellin mediat vlonjate. Sipas drejtorit të Muzeut të Pavarësisë, busti i Boletinit, që ka po të njëtat përmasa sa bustet e tjera, do të vendoset brenda hapësirave të brendshme të Muzeut. Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka thënë se Muzeu tashmë është pasuruar me një nga personazhet më të rëndësishme të historisë shqiptare.

“Dua ta falënderoj artistin për mendimin e realizuar në vepër e që nga sot gjen strehë në muzeun më të rëndësishëm të të gjithë shqiptarëve”, ka thënë Leli. Sipas kryebashkiakut të Vlorës, Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, pas gjithë këtyre viteve i fshehur mes ndërtimeve që ia kanë humbur vlerën dhe pakësuar sharmin, tash e tutje do të transformohet me projektin e mbështetur edhe nga kryeministri Edi Rama. (Koha.net)

Comments are closed.