Alban Bushi dhe Erjon Bogdani, dy sulmues për të ardhmen e Shqipërisë. Dy ish futbollistët e kombëtares pritet të prezantohen këtë të premte si trajner të skuadrave të Shpresës dhe 19 vjecarëve kuqezi duke nisur kështu dhe një karrierë si trajner, që do të jetë e para për të dy. Alban Bushi do të marrë drejtimin e skuadrës së 21 vjecarëve, pas largimit të Redi Jupit dhe do të ketë një pozicion tejet të rëndësishëm, pasi rritja e skuadrës Shpresa ka një ndikim të drejtëpërdrejtë në përfaqësuese. Alban Bushi, deri dje ka mbajtur rolin e menaxherit të ekipit kombëtar ndërsa nga tani e mbrapa do të ketë për detyrë vazhdimësinë e projektit të ekipit Shpresa. Ndërkohë, Erjon Bogdani do të zërë vendin e Arjan Bellait në krye të kombëtares së 19 vjecarëve dhe për të gjithashtu do të jetë përvoja e parë në stol, ndërsa deri tani ka patur një rol të rëndësishëm në stafin e trajnerit, Gianni De Biasi. Si Bushi ashtu dhe Bogdani, janë dy sulmues të njohur të kuqezinjve, dhe njëkohësisht dhe dy golashënuesit më të mirë në historinë e Kombëtares. Prezantimi I tyre në detyrën e re do të bëhet këtë të premte në orën 13:00 në zyrat e FSHF-së.