Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati u takua në Athinë me homologun e tij Nikos Koxias. Në takimin që zgjati për gati 4 orë, të dy ministrat biseduan për gjithë çështjet që preokupojnë gjithë fashën e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe situatën në rajon.
Temë e bisedimeve, të cilat konsiderohen si ndër më të vështirat e viteve të fundit mes palëve. ishin jo vetëm çështjet teknike, siç konsiderohen ajo e pullës apostile, ose e korrigjimit të teksteve shkollore, por edhe problemet e mbartura historike, siç është Ligji i Luftës, marrëveshja për çështjen e detit, apo ajo e pronave të shqiptareve në Greqi dhe shtetasve greke në Shqipëri, për të cilat palët ranë dakord se duhet të vazhdohen bisedimet, për të gjetur zgjidhje.
Të dy palët ranë dakord për uljen e tensioneve dhe retorikës nacionaliste të shprehur kohët e fundit mes dy vendeve.
“Për herë të parë pas 25 vitesh, kemi ngritur Komisionin e Përbashkët për Çështjet Konsullore dhe rezultatet e këtij komisioni do të kenë një impakt të madh, sidomos për komunitetin shqiptar që jeton në Shqipëri. Kemi riaktivizuar Komisionin për tekstet shkollore. Jo thjesht pastrimin e tyre nga referenca historike, të cilat mund të jenë fyese për Shqipërinë apo Greqinë, por edhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë të përbashkët për brezat e rinj. Gjithashtu mendojmë se kemi bërë disa hapa përpara edhe në dakordësimin e pikëpamjeve përsa i përket çështjeve të së shkuarës së largët. Si rasti ligjit të luftës, apo rasti i punës që duhet bërë për varrezat e të rënëve grekë gjatë luftës në Shqipëri”, u shpreh Bushati për Top Channel.
Koxias ka kërkuar që problemet mes dy vendeve të mos jenë pjesë e fushatës elektorale të 18 qershorit në Shqipëri, çka duket se ka gjetur edhe dakordësinë e Bushatit.