Bushati nis vizitën në Prishtinë, sjell qëndrimin e Shqipërisë për kufijtë

Zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli ka pritur në shtëpinë e tij Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati. I pranishëm në takim ishte edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Në këtë mënyrë, Bushati ka nis vizitën në Kosovë ku do të sjellë qëndrimin e Tiranës zyrtare për kufijtë.

Ai më parë ka qartësuar qëndrimin e tij për mos ndryshim kufijsh.

“Mendoj se kjo do të shkonte kundër frymës së të gjitha përpjekjeve të bëra në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit. Do të shkonte kundër frymës së Aktit Final të Helsinkit dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare me vlerë ligjore. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos hapim kutinë e Pandorës për raste të tjera në rajon. Shtetet e Bashkuara, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit, për të siguruar që shoqëritë të mbeten të hapura’, citohet të ketë thënë ai.

Ndërkohë, sipas Pacollit ‘Shqipëria dhe Kosova funksionojnë si një trup në mbrojtjen e interesave në politikën e jashtme’.

“Kisha kënaqësinë që mirëprita në shtëpinë time ministrin e jashtëm të Shqipërisë, mikun tim Ditmir Bushatin në fillim të vizitës së tij në Prishtinë. Edhe pse në një ambient miqësor, biseduam për shumë tema të interesit të përbashkët. Shqipëria dhe Kosova funksionojnë si një trup në mbrojtjen e interesave në politikën e jashtme. Falenderoj edhe zëvendëskryeministrin Limaj për prezencën dhe angazhimin e tij në interes të vendit”, shkroi Pacolli në Facebook.