Shkup, 9 shkurt – Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpalli konkurs për tre lloje të bursave për studime njësemestrale paradiplomike dhe përsosje studimore në Kroaci për vitin akademik 2018/2019.
Dy bursa njësemestrale për studime paradiplomike/diplomike për mësim të gjuhës dhe letërsisë kroate janë dedikuar për kandidatë të cilët janë studentë me së paku dy semestre të përfunduara në katedrën për gjuhë dhe letërsi kroate, studentë të katedrës për gjuhë dhe letërsi kroate të cilët punojnë në punimet e tyre diplomike apo studentë të regjistruar në ciklin e dytë të studimeve.
Konkursi mundëson edhe bursa për qëndrime studimore deri tetë muaj me kohëzgjatje të ndarë prej një deri dy muaj. Kandidatët të cilët dëshirojnë të paraqiten për këtë bursë duhet të jenë magjistra apo doktorë shkencash nga të gjitha fushat shkencore.
Me këtë konkurs ndahen edhe dy bursa për kursin veror të gjuhës dhe letërsisë kroate në Shkollën sllaviste të Zagrebit. Për këtë bursë kandidatët duhet të jenë studentë të sllavistikës, përkatësisht të gjuhës dhe letërsisë kroate, asistentë dhe profesorë nga katedra për gjuhë dhe letërsi kroate apo nga ente të tjera shkencore, të cilët e hulumtojnë gjuhën dhe letërsinë kroate, si dhe përkthyes dhe lektorë.
Në konkurs, i cili është shpallur në ueb-faqen e MASH-it (www.mon.gov.mk), është theksuar edhe dokumentacioni i nevojshëm për paraqitje. Afati është deri më 2 mars të vitit 2018.
Konkursi është shpallur në bazë të Programit për bashkëpunim nga fusha e shkencës, teknologjisë dhe arsimit mes ministrive të arsimit të Maqedonisë dhe Kroacisë prej vitit 2015.