“Burri me Covid, gruaja jo”, mjeku shpjegon misterin shkencor

197

Mjeku shqiptar në Spanjë, Kita Sallabanda, thotë se qeveritë dështuan për të marrë masa për përballimin e pandemisë së koronavirusit për sezonin vjeshtë-dimër.

Në një intervistë me skype për Ora News, mjeku thotë se këtë dështim ata po e mbulojnë me kthimin e karantinës.

Sallabanda: Izolimi i njerëzve, karantina, është heqja e të drejtës kushtetuese të një qytetari. Për mua si mjek, karantina është dështim i politikave qeveritare. Kishin katër muaj kohë që qeveritë të merrnin masa për të bërë testime masive, kontrolle masive, për të bërë gjurmimin e sëmundjes dhe nuk e bënë. Njerëzit kanë filluar të protestojnë sepse janë të lodhur me këtë situatë.

Edhe pse kanë kaluar muaj, mjeku thotë se të dhënat shkencore janë ende të paqarta.

Sallabanda: Nuk i kemi të gjitha gjërat e qarta. Një studim i OBSH me 400 spitale në Europë nxori se katër mjekimet bazë që përdorim për Covid nuk kishin asnjë efekt në ruajtjen e jetës së të sëmurëve. Nga pikëpmja shkencore nuk i kemi gjërat e qarta, as OBSH vetë që jep udhëzime të ndryshme. Qeveritë duke mos investuar në gjurmimin dhe bërjen e testeve detyrohen të mbyllin popullatën. Duke mos dëshiruar të kenë humbje në jetë njerëzish se është një çmim i madh për qeveritë merren këto masa drastike si kufizimi i lëvizjes.

Sallabanda tha se në Spanjë kanë rekomanduar vaksimin masiv gripit dhe pneumokokut dhe është shpresëplotë se do t’u japë një dorë edhe kundër virusit.

Sallabanda: Kemi rekomanduar vaksimin masiv të gripit dhe pneumokokut.  Gripi do të na ndihmojë shumë sepse vaksina ka disa elementë që na ndihmojnë për tu mbrojtur nga Covid 19. Po ashtu edhe pneumokoku që përdoret karshi infeksioneve të mushkërive. Po i përgatisim njerëzit në mënyrë masive që edhe po të kenë Covid 19 të mos shkojnë në mënyrë të rëndë. Mund të kemi shifra të infeksionit si në mars dhe prill por nuk kemi në asnjë mënyrë ato shifra të sëmurëve të rëndë. Edhe pse virusi e ka humbur agresivitetin e tij. Ka një mutacion gjenetik që është vërtetuar që në shtator.

Ndër të tjera mjeku shpjegoi se virusi varet nga karakteristikat gjenetike të çdo personi.

Sallabanda: Në një familje me katër veta një mund të jetë infektuar dhe tre jo.Kjo do të thotë se struktura gjenetike e tre pjesëtarëve të familjes është ndryshe nga ai person që është infektuar. Ka qenë shumë e çuditshme që kemi pasur burrin të infektuar dhe gruan jo dhe anasjelltas.Megjithëse nuk është vërtetuar, grupi i gjakut zero ka më pak mundësi për tu infektuar.

Sa i takon detyrimit për të mbajtur maskën kudo dhe kostos financiare të saj, ai thotë se duhet një politikë proaktive në mbrojtje të qytetarëve.

Sallabanda: Qeveritë dhe shtetet duhet të subvencionojnë blerjen e maskave./kohajone/