BURRAT MË N’ZOR SE GRATË! MPPS raport për ngacmimet në punë

208

Të paktën, ky grup ka qenë më i guximshëm për të denoncuar mobingun në vendin e punës përmes sistemit elektronik të vënë në dispozicion nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Ngacmimi dhe dhuna në vendin e punës, sipas sindikalistëve, ndodh rëndom në mjedise ku punonjësit nuk janë të bashkuar dhe të edukuar për të drejtat e tyre, por nga ana – tjetër haset në vështirësi të mëdha në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Ngacmimi në Punë, i cili u miratua në 2013

Evis HALILI

Shkup, 8 prill – Me fyerje, kërcënime, frikësime…, në vendin e punës përballen më shumë punonjësit meshkuj. Ose të paktën ky grup ka qenë më i guximshëm për të denoncuar mobingun në vendin e punës përmes sistemit elektronik të vënë në dispozicion nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Sipas të dhënave të MPPS gjatë vitit të kaluar, dhe këtyre muajve (1 denoncim) u denoncuan 30 raste, ku shumica e tyre ishin nga punonjës të gjinisë mashkullore në sektorin privat. Përkatësisht dhjetë prej tyre ishin të punësuar në sektorin publik, 20 denoncues nga sektori privat, 19 burra, pesë gra, kurse të tjerët janë deklaruar si anonimë. Duke iu referuar raportimeve të tyre pjesa më madhe ankohen për ngacmim psikologjik – fyerje, kërcënime, frikësime që kanë vazhduar edhe pas orarit të punës, degradimi i punonjësit duke abuzuar me autoritetin zyrtar, ndërsa vetëm në dy raste është raportuar për ngacmim seksual.

Mobingu në vendin e punës ndodh rëndom në mjedise ku punonjësit nuk janë të bashkuar dhe të edukuar për të drejtat e tyre, konstatojnë nga Federata e Sindikatave të Maqedonisë (FSM), të cilët prej disa vitesh ofrojnë një shërbim të organizuar për mbrojtjen ligjore falas, përfshirë të drejtat e punonjësve bazuar në ngacmimet psikologjike në vendin e punës. Që nga viti 2013, FSM është përballur me tetë ose nëntë raste brenda një viti, ku mes tyre për tre raste u ngritën padi dhe u zhvillua edhe një procedurë gjyqësore, e cila përfundoi negativisht, ndërsa të tjera u zgjidhën miqësisht përmes bisedave dhe këshillimeve, me pjesëmarrjen dhe ndërmjetësimin e përfaqësuesve të sindikatës. Nga FSM thuhet se hasin në vështirësi të mëdha në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Ngacmimi në Punë, i cili u miratua në 2013 me iniciativën e tyre.

“Avokatët e FSM ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore dhe procedurat për mbrojtjen e të drejtave të punës të anëtarësisë së tyre. Është karakteristike që kemi një numër adresash në lidhje me ngacmimet në punë, por nga njerëz që nuk janë anëtarë të FSM, të dhëna këto që sugjerojnë se ngacmimi në vendin e punës më së shpeshti ndodh aty ku punonjësit nuk janë të bashkuar e të informuar për të drejtat e tyre”, thonë nga FSM. Mobingu ose ngacmimi dhe dhuna në vendin e punës manifestohet përmes një numri aktivitetesh, duke përfshirë shpifje, spiunazh, kërcënim, shantazh, mohim ose heqjen e të gjitha detyrave të punës nga viktima, caktimin e detyrave të pakuptimta të punës, caktimi i detyrave të punës nën njohuritë dhe kualifikimet e viktimës për diskreditim, caktimi i vazhdueshëm dhe i padrejtë i detyrave të reja, si dhe caktimi i detyrave që sulmojnë integritetin mendor, moral dhe fetar të viktimës.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Ngacmimet në Punë, procedura e mbrojtjes zhvillohet tek vetë punëdhënësi dhe ndërmerret nga punonjësi i ekspozuar ndaj ngacmimeve. Fillimisht punonjësi duhet t’i drejtohet me shkrim abuzuesit dhe ta paralajmërojë për sjelljen dhe nëse nuk ka rezultat do të kërkojë mbrojtje ligjore. Nëse nuk ka ndonjë rezultat të dëshiruar, sqarohet në ligj viktima mund t’i paraqesë punëdhënësit një kërkesë me shkrim për mbrojtje nga ngacmimi në punë, me anë të së cilës punëdhënësi është i detyruar të ndërmarrë veprime të përcaktuara me ligj. Nëse, edhe pas procedurës së ndërmarrë me punëdhënësin, punonjësi nuk është i kënaqur, atëherë ai ka mundësinë të kërkojë të drejtat e tij në gjykatë, me faktin se, nëse dëshiron, punonjësi mund ta kalojë këtë procedurë dhe pas një paralajmërimi me shkrim për të kërkuar menjëherë mbrojtje gjyqësore. (koha.mk)