Nga Adelina MARKU
Unë fëmijë… e në gjumë … kur ka’ pas mesnatës- kujtoj si sot, gjëmonte oborri i shtëpisë në Dibër! Ishte ngjarja e muajit për mua! E prisja me qefin më të madh!
Çdo nëntor!!!
Vrik e vrik, hiqja pizhamën, vishja fustanin dhe dilja i prisja!
Aty tek shkallët qëndronte ai, Sabriu, klarinetisti i spikatun, që e qante ë, ama e qante! Artisti vetë! Oiiii si e përkëdhelte atë instrument ky njeri, thu ti ia krehte flokët ndoj Zane mali, me ngadal e me ngadal…, e nga flokët ia rrokte belit Zanës dhe ia mbante fort mos t’a lente t’i ikë, “je imja, imja!”, e masnej më bëhej se i shihja me sy të gjallë tingujt qysh vibronin në natën e zezë e tuj ik nalt qiellit për me i kap istat( yjet) atje e për me ja nis Valles Burrave! Në majë të gishtave i hidhnin hapat, mu aty te kandi i Lodrës lodraxhisë i cili përrulej bark e gjoks tuj u dhanë i gjithi përpara e tuj e burrnu lodrën tej më tej!
“Ja ku doli. O Bija ime !!!” – unë vërtetë zbirsja harreshëm shkallëve e i hidhesha në qafë. Ai bëhej Mbret aty për aty! Të tjerët më mernin një nga një e më mbanin nalt duarve. Tek më më mësonin Mbi Veten , unë kisha për detyrë me rrok gjithë Lirinë! Me e gëlltitë! Ideja ishte unë të ndihesha Princeshë, ideja ishte unë të ndihesha Guximja, e Mençmja, e Zgjedhmja, ideja ishte se unë duhesha me bo Protestën kur këta të mos ishin ma , ideja ishte unë të rritesha pa pik frike sepse duhesha me thanë të Vërtetën e më mësonin se të gjithë – ama rrafsh të gjithë i trembeshin si lugatit të Vërtetës, ideja ishte të kuptoja se e vërteta të jep shendet dhe dinjitet, se ajo nuk të le të krrusesh, ideja ishte se unë duhesha të dij kur të flas pak e kur shumë, masnej duhesha të dij si të flas e përse të flas, ideja ishte unë të isha Bujarja sepse kisha rranjët e Fisme e s’duhesha assesi me lujt ndrysh’, ideja ishte se Trashëgiminë nuk duhesha t’a kuptoj vetëm si gëzim – por si Jetë që vazhdon Fis’shmërinë , ideja ishte se duhesha me mbajt mend e duhesha me fol, ama me të gjithë e panda e me gjith’ Botën e lume për këtë Natë , për 28 Nëntorin, Klarinetistin , Lodraxhinë dhe katër shokët e Babit tim !
O Zot sa Ide e Madhe qe ish Ajo!
Pastaj hynin brenda e uleshin kanapeve që mbajnë edhe sot ngjyrën e një ari të vjetrum! Unë tani duhesha t’ju bëja mezetë… Asaj nate pihej raki, venë! Bahej gabzheri lumë! Asaj nate këndohej! Falej dashuri e folej vetëm për Lirinë! Lartësohej t’kuptumit e Lirisë! Sipas Babit tim, njeriu duhej t’a kuptonte Lirinë që të mund t’a jetonte e shijonte atë! Po të rrëshqiste ndryshe, do ndodhte ajo e Kërlezhës (Mirosllav), e citonte e gajasej: “I tako vikashe seljaci, skidoshe matiju, izljubeshe ga u dupe”…. Nuk mësohej Liria përmes moralizmave e dogmave, por veç përmes brendisë personale të një Burri e Gruaje Totalitet!( Këtu spikaste teme amë…! Ish burrë që kremtonte gruan e vet si HYI vetë! ) Sepse po t’a kuptoje ndryshesoj lirine – vazhdonte Ai, do të thotë se po t’a gatuan dikush tjetër sipas strategjisë së vet! Dhe të kap, n’rrobni!
Asaj nate nëntori flitej edhe për Shtetin që do Vinte. E ç’ishte ky shtet që do vijka?! Ngrysja vetullat unë pa dijtur ende se ç’ishte shteti, e ku më ai i riu që do ardhka! Në këtë çast im atë e kishte pothuajse të pamundun të mos përmendë Prizrenin dhe Marijen. Ishte Ajo, Marija, që kish shënuar epope në Prizren e që për më shumë kishte qenë edhe nxanësja e Fishtës! Shndrohesha e gjitha veshë sepse ky rrëfim kallzohej vetëm atij muaji! Ishte një si tip perle ekzotike për historinë ky çast që përjetoja, çdo nëntor! Sot e kuptoj se rrëfimi për Marije Shllakun më drejtohej mua, që t’a mbaja mend e t’ia rrëfeja Botës, panda! Marija ishte heroina për të cilën babës tim i kish folur Ramizi (Kelmendi). Sepse ky, jo vetëm që kish njohur e punuar me Marijen, por dhe dergjur në burg bashkë! Ishte rrëfimi i natës së nëntorit kur kremtonim kombin e kujtonim martiren gjithashtu! Kjo grua dënohet me pushkatim nga komunisti Ali Shukriu i cili e akuzon për bindje antikomuniste dhe nacionaliste! Marie Shllaku, vazhdonte im atë , pushkatohet nga komunistët shqiptarë po natën e një nëntori të vitit 1945, kur edhe zhbahet Organizata Nacional Demokratike Shqiptare. Nëntoret e fëmijërisë sime ishin këto…!
Kështu vinte agu! Unë ju mbushja kupat e ju kremtoja mezetë ! Po po, Shehati ( Marku) im atë, kësaj nate ishte në elementin e Tij. Ai e përbinte në çast rolin e Prijësit së Festës së Madhe e duheshin të gjithë t’a përjetonin me zemër. Hypte majave Klerikëve dhe gjëmonte Fe Shqiptare! Shpallte Liri Perëndisë brenda vetes!
Këta burra soji, që dinin të na mbanin Mbi Veten e tyre, nuk e luanin mahnitjen e as adhurimin, por që të katërt , Lutfiu( Marku) , Qerami (Pasholli), Burhani (Pasholli) dhe Lirimi (Pasholli) e banin Lidhjen e Madhe asaj nate nëntori dhe Kremtonin Kremten Gjigandshëm!
Si ata, askush më!
Nëntori, klarineti, lodra, vena e historia…unë në epiqendër …këta Zotërinj t’fisnum kamb e krye, janë Pesë Burrat e Jetës Sime!
Në emër të Baballarëve, kujtoj Vdekjen plot Nur e shënoj Histori!
(Teksti, në emër të përvjetorit të vdekjes së babës, z.Shehat Marku, gjykatës nga Dibra!)
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)