Të paktën 17 persona mbetën të vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur në një sulm në një restorant në kryeqytetin e shtetit Burkina Faso, që ndodhet në Afrikën Perëndimore, raporton Anadolu Agency (AA). Sulmi i kryer nga ana e “tre ose katër” motoçiklistëve të armatosur, ndodhi mbrëmjen e të dielës në kryeqytetin Ouagadougoi në restorantin “Aziz Istanbul”.
Ministri i Komunikacioneve, Remis Dandjinou, bëri të ditur se në operacionin policor për kapjen e sulmuesve që ka zgjatur deri në orët e mëngjesit të sotëm, nga ana e forcave policore janë vrarë tre sulmues. Ai e cilësoi incidentin si një “sulm terrorist”, ndërsa theksoi se ende asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Një gazetar lokal për AA bëri të ditur se viktimat janë të kombësive të ndryshme, përfshirë një francez dhe një turk.
Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë konfirmoi se një nga viktimat ishte shtetas turk. “Ne jemi thellësisht të pikëlluar se një shtetas turk ishte në mesin e të vdekurve dhe një tjetër midis të plagosurve”, deklaruan nga Ministria e Jashtme, duke dënuar fuqishëm sulmin terrorist. Poashtu edhe në janar të vitit të kaluar, 30 persona u vranë në një sulm të ngjashëm terrorist në një hotel privat në Ouagadougoi, të kryer nga militantët e lidhur me Al-Kaedën.