Tash për tash, procesi është zhvendosur për në shtator dhe afati për regjistrimin e diasporës është zgjatur deri në përfundim të procesit. Uroj që partitë më të mëdha politike shqiptare dhe maqedonase, të pozitës e të opozitës të reflektojnë deri në shtator,por me zgjedhjet lokale fill pas regjistrimit një gjë e tillë është thuajse e pamundur. Kjo na paralajmëron që nëse ky proces vazhdohet, i njëjti vështirë që do të përfundoj dhe nëse i njëjti përfundon rezultatet e tij do të kontestohen të paktën nga njëra palë
Nga Sefer SELIMI Jr.
Në fillim të këtij viti mori dritë jeshile Ligji për regjistrimin e popullsisë, të amvisërive dhe të banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Thuajse se askund tjetër në botë ky ligj nuk prodhon tension dhe polarizim politik e shoqëror si tek ne. Tentativa paraprake në vitin 2011 për ta kryer këtë operacion statistikor u përcoll me përplasje verbale e në disa raste edhe fizike mes regjistruesve në terren. I njëjti u ndërpre nga Kuvendi me marrëveshje politike mes partive qeverisëse të asaj kohe, VMRO DPMNE dhe BDI, ndërkaq për këtë çështje Prokuroria Speciale hapi lëndë hetimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj liderëve të këtyre partive, e cila lëndë sipas prokurorisë në mungesë të provave të mjaftueshme u mbyll në dhjetor të vitit të kaluar. Procesi i regjistrimit atëkohë u ndërpre plotësisht ndërkaq kësaj radhe ai është prolonguar për në shtator të këtij viti. Po pse kaq tension?
Në shtetet bashkëkohore procesin e regjistrimit e përdorin si bazë për krijimin e politikave zhvillimore, duke i alokuar resurset shtetërore sipas nevojave dhe prioriteteve, për të bërë ndarje të drejtë të tyre në të gjithë territorin dhe për të nxitur zhvillim të barabartë në të gjitha rajonet e vendit. Në Maqedoninë e Veriut ky proces nuk shërben vetëm për këtë qëllim sepse Kushtetuta e vendit ofron një set të drejtash për komunitetet jomaqedonase në bazë të përqindjes së tyre. Përveç Ligjit për përdorimin e gjuhëve këtu bën pjesë edhe ligji për përdorimin e flamujve të bashkësive etnike në institucionet publike të njësive të vetëqeverisjes lokale, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në institucione etj. Këto të drejta i tangojnë të gjitha komunitetet në Maqedoninë e Veriut, e posaçërisht shqiptarët si komunitet i dytë më i madh në vend dhe maqedonasit si shumicë. Këtu është edhe thelbi i tensionit, rivaliteti shqiptaro-maqedonas.
Maqedonasit, shumica dërmuese e tyre, udhëhiqen ende nga mendësia se Maqedonia është shtet i maqedonasve. Kjo mendësi prodhon tek ata ndjenjën e supermacisë ndaj shqiptarëve dhe etniteteve tjera, duke i ushqyer ato me idenë se janë pronarët e vetëm dhe legjitim të shtetit, të cilin shtet shqiptarët dëshirojnë t’ua marrin. Rrjedhimisht, kjo u ushqen frikën e humbjes së statusit të të privilegjuarit dhe prodhon albanofobi, me nuanca të theksuara të shovinizmit në shumë raste.
Shqiptarët, shumica dërmuese e tyre, udhëhiqen ende nga mendësia se Maqedonia asnjëherë nuk do të jetë shtet i drejtë dhe i barabartë për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë etnike. Kjo mendësi prodhon tek ata mosbesim të thellë ndaj shtetit, duke pritur apriori se në çdo proces të rëndësishëm shtetëror shqiptarët do të jenë ose të përjashtuar ose të dëmtuar. Rrjedhimisht, kjo ju ushqen ndjenjën e viktimizimit dhe inferioritetit dhe i bën ata refuzues, mosbesues dhe në shumë raste edhe nihilist në raport me të ardhmen e shtetit.
Të thëna kështu shkurt, shumë nga ju mund edhe të mos pajtohen e të prodhojnë kundër argumente të pafundme, por këto dy mendësi të perceptuara apo të vërteta janë bazamenti i veprimit politik të shumicës së partive politike në Maqedoninë e Veriut. LSDM-ja si vazhdimësi e partisë komuniste dhe e udhëhequr nga kjo mendësi, në fillimet e pavarësisë ndërtoi një kushtetutë e cila prodhoi konfliktin e vitit 2001. VMRO-DPMNE-ja në gjenezën e themelimit të saj kishte albanofobinë, ndërkaq në qeverisjen 10 vjeçare të Gruevskit shpenzoi afërsisht 1 miliardë euro për ta rritur dhe forcuar po të njëjtën mendësi: Maqedonia e maqedonasve. BDI-ja nga ana tjetër ka luajtur gjithë këto vite rolin e “mbrojtësit të shqiptarëve”, herë si triumfator e herë si viktimë. Opozita shqiptare e 20 viteve të fundit në cilin do transformim e formë që mori, u udhëhoq nga po i njëjti mentalitet, viktimizimi i shqiptarëve nga maqedonasit. Se sa janë të sinqerta partitë politike nuk dua ta trajtoj në këtë rast, por se kanë arritur me shumë mjeshtëri t’i përdorin e keqpërdorin këto mendësi në forma e trajta në ndryshme gjithë këto vite janë dëshmitar vetë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Tensioni që krijohet rreth procesit të regjistrimit është tensioni mes këtyre dy mendësive dominuese. Partitë maqedonase, kryekëput ato të opozitës, duke u bazuar në ligjin dhe metodologjinë e regjistrimit, ushqejnë frikën se me përfshirjen e diasporës në numrin e përgjithshëm të popullsisë do të rritet përqindja e shqiptarëve, gjegjësisht do të zvogëlohet përqindja e maqedonasve dhe me këtë do të vihet në rrezik statusi i privilegjit të pronarit të shtetit. Partitë shqiptare, kryesisht të opozitës por edhe nga pozita, ushqejnë dyshimin dhe frikën e manipulimit të shifrave për ta zvogëluar përqindjen e shqiptarëve në shtet, rrjedhimisht për t’i minuar të drejtat kushtetuese që burojnë dhe janë të lidhura me përqindjen e përfaqësimit.
Në këtë situatë është e vështirë të ushqehet realiteti faktik, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ketë përpjekje. Realiteti është ky dhe mbase nga këtu duhet të fillohet të hidhet baza e një dialogu të gjerë e përmbajtjesor jo vetëm për procesin e regjistrimit por edhe për të ardhmen e vendit :
- Maqedonia e Veriut është shtet multietnik, as i maqedonasve dhe as i shqiptarëve por edhe i maqedonasve edhe i shqiptarëve dhe i të gjithë qytetarëve tjerë që jetojnë këtu.
- Maqedonasit janë etniteti dominues por gjysma e Maqedonisë së Veriut, dominohet dhe qeveriset nga shqiptarët.
- Shqiptarët kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë pjesë jetike për ekzistencën e Maqedonisë së Veriut.
- Etnitë tjera më të vogla vazhdojnë të neglizhohen nga dy komunitet më të mëdha, përveç në kohë zgjedhjesh – posaçërisht lokale.
- Diaspora është pjesë e pandashme edhe faktike por edhe ekonomike e këtij shtetit, që kontribuon të paktën 20% në PBB (GDP) e vendit dhe mbulon deficitin devizor. Alienimi i saj, qoftë përmes regjistrimit, rrënon themelet ekonomike, por edhe politike të këtij shteti.
Tash për tash, procesi është zhvendosur për në shtator dhe afati për regjistrimin e diasporës është zgjatur deri në përfundim të procesit. Uroj që partitë më të mëdha politike shqiptare dhe maqedonase, të pozitës e të opozitës të reflektojnë deri në shtator,por me zgjedhjet lokale fill pas regjistrimit një gjë e tillë është thuajse e pamundur. Kjo na paralajmëron që nëse ky proces vazhdohet, i njëjti vështirë që do të përfundoj dhe nëse i njëjti përfundon rezultatet e tij do të kontestohen të paktën nga njëra palë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)