Burimi i Pallqishtit: Puna e berberit nuk të lë kurrë pa bukë (FOTO)

30

“Në sallonin tim punoj bashkë me dy punëtorët tjerë, por kur vjen fundi i muajit unë jam i kënaqur nëse më mbetet një pagë”, thotë berberi Burim Cara nga Pallqishti i Tetovës

“Urime, urime!”, dëgjohen uratat, nuk është as festë e as ndonjë ditëlindje. Myshterinjtë që po vijnë po ia urojnë pronarit rinovimin e sallonit të berberëve, pamja moderne dhe ambienti i të cilit po impresionojnë të gjithë. Burim Sylejmani nga Pallçishti i Tetovës që prej gati një dekade ushtron një profesion shumë fisnik dhe që nuk del kurrë nga moda, profesionin e berberit në Zvicër. Profesioni i berberit apo stilistit të flokëve mbetet gjithmonë një profesion në kërkim pas së bukurës, pas shijeve dhe luhatjes së rrymave të modës.

37-vjeçari zanatin e solli në Zvicër nga Tetova, të cilin e kishte mësuar që nga mosha 12-vjeçare. Përfitimet ekonomike nga ky profesion në Zvicër janë të mira, gjë që e tregon dhe fakti se lokalet e berberëve janë të pranishme gjithkund, me emrin “Barber Shop”. Një të tillë e ka hapur Burimi në një lagje mjaft të populluar të Cyrihut, në Oerlikon.

“Kur pata filluar para dhjetë vjetëve, mund të kem qenë shqiptari i parë që ka një sallon berberësh në këtë rrethinë, ndërsa kohët e fundit numri i tyre është shumëfishuar. Nuk e kam idenë se si ia dalin. Në sallonin tim punoj bashkë me dy punëtorët tjerë, por kur vjen fundi i muajit, unë jam i kënaqur nëse më mbetet një pagë”, thotë berberi nga Pallqishti i Tetovës. Ai pranon se kanë sjellë konkurrencë kur është fjala për çmimet, ngase prerja e flokëve në sallonin e tij kushton vetëm 25 franga, ndërsa në sallonet e tjera zvicerane çmimi është dyfish më i lartë.

Tetovari krenohet se si shqiptarë kanë arritur t`u afrohen turqve në këtë biznes, por sërish e pranon se janë një hap mbrapa tyre. Se sa është i kërkuar Burimi dhe kolegu i tij, Adem Selimi në lokal tregon radha e myshterinjve që zënë një vend në ulësen e tyre duke pritur. Ndërkohë Burimi shton se klientët që i ka prej vitesh, tashmë janë kthyer në miqtë e tij, dhe ata nuk janë vetëm shqiptarë. Madje ka klientë që vijnë çdo javë për të shkurtuar flokët.

“Myshterinjtë shqiptarë kanë më shumë kërkesa kur të vijnë te ne. Kjo do të thotë në anën tjetër se janë më pedantë dhe i ndjekin ndryshimet e kohës, ndërsa të tjerët vijnë më shumë, thjesht, për t’i shkurtuar flokët. Dy vitet e fundit kanë hyrë në sallon teknika të reja për prerjen, stilimin e flokut, për të rritur dhe për fëmijë. Kohët e fundit janë futur produkte stilimi që duan vëmendje të veçantë në përdorim, sepse kanë efekte pozitive dhe negative ndaj flokut”, thotë tetovari, i cili pranon se duhet t’i përshtatet kohës dhe rrymave të modës.

Burimi, siç e thërrasin me emër tashmë një pjesë e madhe e njerëzve, tashti ka sallonin më modern në qytetin ku ai e nisi mes vështirësive të shumta. Tetovari e do shumë këtë profesion, saqë ka menduar ta trashëgojë dhe te fëmijët, po edhe të zgjerohet me biznes në qytete tjera.

PËRGJYSMË MË LIRË SE TE ZVICERANËT

Ai pranon se kanë sjellë konkurrencë kur është fjala për çmimet ngase prerja e flokëve në sallonin e tij kushton vetëm 25 franga, ndërsa në sallonet e tjera zvicerane çmimi është dyfish më i lartë.

TEKNIKA TË REJA

“Dy vjetët e fundit kanë hyrë në sallon teknika të reja për prerjen, stilimin e flokut, për të rritur dhe për fëmijë. Kohët e fundit janë futur produkte stilimi që duan vëmendje të veçantë në përdorim, sepse kanë efekte pozitive dhe negative ndaj flokut”, thotë tetovari, i cili pranon se duhet t’i përshtatet kohës dhe rrymave të modës. (albinfo.ch)